Sot (e mërkurë) janë në orar për t’u zhvilluar ndeshjet kthyese të fazës së 1/8-tës në Ligën e Kampionëve. Tetë skuadra do të luftojnë për katër vendet e lira në çerekfinale dhe vetëm njëra nga to e ka thuajse të siguruar. Bëhet fjalë për Arsenalin, i cili e pret PSV Aindhoven në ‘Emirates’ nga ora 21:00 dhe shihet si favorit i qartë pas fitores 7-1 në ndeshjen e parë.
Ndeshja më interesante e mbrëmjes padyshim se është ajo mes dy rivalëve të qytetit, Atletikos dhe Real Madridit, e cila pritet të luhet në ‘Metropolitano Stadium’ me fillim nga ora 21:00. Kjo ndeshje do të jetë e zjarrtë dhe e luftuar për çdo top dhe në çdo sekondë, pasi ndeshja e parë është mbyllur me fitoren 2-1 të “Los Blankos”.
Gjithçka e hapur do të jetë edhe në ‘Stade Pierre-Mauroy’, ku Lille e pret Borussia Dortmundit dhe pret të kualifikohet pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Në ndeshjen e fundit, Aston Villa e pret Klub Brizhin dhe synon ta sigurojë kalimin në çerekfinale, pas fitores 3-1 në udhëtim në përballjen e parë.