Barcelona dhe Reali i Madridit do të ndajnë sonte në mbrëmje Kupën e Spanjës në finalen që do të luhet në Sevilje. Do të jetë hera e tetë në histori që dy gjigantët spanjollë do të ndajnë trofeun e dytë më të rëndësishëm në Spanjë.
Barcelona e trajnerit Hansi Flick e ka mundësinë që ta mbyllë edicionin me katër trofe. Rrugëtimin drejt këtij suksesi e vazhdon të shtunën nga ora 22:00 në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas. Në “El Clasicon” e radhës ndaj Real Madridit, Barça e luan finalen e Kupës së Mbretit.
Skuadra e madhe nga Katalunja është gjysmëfinaliste e Ligës së Kampionëve, udhëheq në La Liga dhe vlerësohet aktualisht si më e mira në Spanjë. Tashmë e ka fituar Superkupën e Spanjës. Ndërkohë Real Madridi i trajnerit Carlo Ancelotti mund t’i fitojë dy trofetë vendorë. Është në finale të Kupës e po ashtu në garë për titull të kampionit.
Madridi ka mbetur katër pikë prapa Barçës në La Liga, ndërsa klasikja spanjolle në kuadër të ligës do të luhet muajin tjetër. Deri në fund të edicionit në La Liga janë edhe pesë xhiro.
Por, gjigantët spanjollë të futbollit fillimisht e kanë gjithë fokusin te finalja e Kupës.
Barcelona ka qenë superiore ndaj Madridit në dy klasiket e këtij edicioni. Fitoi 4:0 në La Liga në muajin tetor në “Santiago Bernabeu” . Më pas fitoi 5:2 në finale të Superkupës së Spanjës. Turneu i Superkupës u zhvillua në Arabinë Saudite në janar.
Barcelona ishte shumë më e mirë se Real Madridi në dy ndeshjet e kaluara, por tekniku gjerman nuk ka asgjë tjetër përveç lëvdatave për italianin Ancelotti.