Soros: Pushtimi rus mund të jetë fillimi i Luftës së Tretë Botërore

Miliarderi amerikan, George Soros ka paralajmëruar se pushtimi rus në Ukrainë mund të jetë fillimi i Luftës së Tretë Botërore. Teksa po fliste mbrëmjen e djeshme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Soros është shprehur se lufta e ka tronditur Evropën.

Ai i ka kërkuar botës të përdorë të gjitha burimet e saj, për t’i dhënë fund kësaj lufte, duke shtuar se “mënyra më e shpejtë dhe ndoshta e vetmja për të ruajtur qytetërimin tonë është të mposhtim Putinin sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ai shtoi se Evropa është në një pozitë më të fortë se sa Putin mendonte në lidhje me varësinë e saj nga gazi rus.

“Unë mendoj se Putini ka qenë shumë i zgjuar në një lloj shantazhi ndaj Evropës, duke kërcënuar se do të ndërpresë gazin, por në fakt Evropa është në një pozitë më të fortë se ai mendon”, tha Soros.

BE-ja po përpiqet të heqë dorë nga varësia e saj nga karburantet fosile ruse me dy të tretat deri në fund të vitit. Por përpjekjet për të ndaluar importet ruse janë penguar për shkak të hezitimit nga Gjermania. Po ashtu edhe Hungaria ka kundërshtuar ndalimin e naftës ruse./tvklan.al