Sot fillon gjysmëvjetori i dytë, nuk ka ndryshime

Në Maqedoninë e Veriut sot në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nis gjysmëvjetori i dytë pas pushimit dimëror.

Ministrat e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe e Arsimit, Milla Carovska dje pas një takimi me përfaqësuesit e Unionit të nxënësve të shkollave të mesme thanë se mësimi në gjysmëvjetorin e dytë vazhdon me të njëjtat masa dhe rekomandime si dhe më parë, përcjell INA.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në takim u theksua se në gjysmën e dytë të vitit, mësimi në shkollat ​​fillore dhe të mesme do të vijoj të jetë online. Por, përjashtim nga kjo bëjnë nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën që mësimet do ti ndjekin me prani fizike në klasë, në përputhje me kapacitetin e shkollave për të zbatuar planin dhe protokollet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me miratimin e prindërve.

“Ne jemi duke e monitoruar situatën epidemiologjike dhe nëse në muajt e ardhshëm tregon stabilizim, ne do të marrim vendime të tjera, por kjo do të ndodhë pasi të jemi të sigurt se do të vazhdoj tendenca e zvogëlimit të të sapoinfektuarve me Kovid-19”, theksoi ministri Filipçe.

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme dhe një pjesë e madhe e maturantëve kanë paralajmëruar bojkotimin e mësimit, për shkak se kërkesat e tyre për të mbajtur 2 në vend të 4 prej provimeve të maturës ende nuk është pranuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme ju njofton që pas konsultimeve me përfaqësuesit e nxënësve në të gjithë vendin, bashkërisht me maturantët kemi vendosur të bojkotojmë mësimin nga e enjtja, 21 janar 2021 deri kur kërkesat tona do të pranohen nga autoritet arsimore”, theksuan nga ky union.(INA)