Tirana sot është nikoqire e Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, duke shënuar kështu mbajtjen për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Kryeministrisë.
“Samiti i Tiranës zhvillohet në një kohë kur Evropa e gjen veten në një pikë kthese kritike, me tensionet që po rriten globalisht. Kërcënimet hibride, shtrëngimi ekonomik dhe përçarja teknologjike po testojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe po kërkojnë përgjigje më të koordinuara evropiane”, thuhet tutje.
Të pranishëm në Samit janë Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.
Në Samit po ashtu janë kryeministri polak, Donald Tusk, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan dhe shumë liderë tjerë evropianë.
Edhe krerët e shteteve të Ballkanit do të jenë në samit, ndërkaq Kosova përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Diskutimet e Samitit do të zhvillohen në tryeza tematike të nivelit të lartë.
E para, do të fokusohet në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, duke adresuar të dyja imperativat imediate – siç është mbështetja e Ukrainës në përpjekjen e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – dhe sfidat afatgjata, duke përfshirë mbrojtjen e proceseve demokratike nga ndërhyrja e huaj dhe forcimin e aftësive të mbrojtjes kolektive të Evropës.
Tryeza e dytë e rrumbullakët do të shqyrtojë se si mund të rritet konkurrueshmëria dhe siguria ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, elasticitetin e energjisë dhe autonominë strategjike të nevojshme për të siguruar zinxhirët kritik të furnizimit dhe për të balancuar qëllimet klimatike me fuqinë industriale.
Sesioni i tretë i Samitit do të trajtojë dinamikën komplekse të migrimit, lëvizshmërisë dhe fuqizimit të të rinjve. Ky sesion do të shqyrtojë rolin e gjeneratës së ardhshme në formësimin e së ardhmes së Evropës, veçanërisht në dritën e inteligjencës artificiale dhe ritmit të përshpejtuar të ndryshimeve teknologjike.
Por, çka është Komuniteti Politik Evropian?
Komuniteti Politik Evropian, ideja për të cilin u parashtrua fillimisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian në Strasburg më 9 maj 2022, – synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.
Komuniteti politik mblidhet dy herë në vit, duke u alternuar mes një vendi të BE dhe një vendi jashtë saj.
Takimi i parë u mbajt në Pragë në 6 tetor të vitit 2022, ndërsa i fundit në radhë ishte nëntorin e kaluar në Hungari.
Objektivi i Komunitetit politik është që të ofrojë një platform të koordinimit të të politikave për të gjithë vendet evropiane, duke promovuar dialogun politik dhe bashkëpunimin në çështje me interes të përbashkët për kontinentin. /Telegrafi/