Në Gjykatnë Themelore Penale të Shkupit sot do të shqyrtohet superekspertiza e përgatitur nga dy ekipe të inxhinierëve mekanikë dhe të trafikut për rastin e “Llaskarcës”.
Gjykata në seancën e kaluar mori vendim që pas pëlqimit të të gjitha palëve, për shkak të ekonomizimit dhe përshtatshmërisë së procedurës, të lexohen të gjitha provat e deritanishme dhe sot të vazhdojë procedura me shqyrtimin e superekspertizës, përcjell INA.
Superekspertiza e urdhëruar nga Gjykata në dhjetor të vitit 2021 është refuzuar nga fakultetet e vendit, me arsyetimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ndërsa Fakulteti Teknik në Manastir, në të njëjtën kohë, ka njoftuar gjithashtu se. ata e kthyen çështjen sepse ekspertët e tyre të licencuar të inxhinierisë mekanike janë ekspertë vetëm në energji dhe nuk mund të ekspertojnë mjetet motorike.
Nga Gjykata Penale kanë bërë të ditur se kanë kontaktuar Universitetin e Shtipit dhe Fakultetin Mekanik në Shkup, nga ku janë njoftuar se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të licencuar për automjete në komunikacion të cilët nuk kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme. Pas refuzimit të fakulteteve, lënda është dërguar në Byronë e Ekspertizës Ligjore, e cila ka aftësinë të formojë një ekip ekspertësh të licencuar që do të kryejnë një superekspertizë.
Të akuzuarit për këtë fatkeqësi të rëndë të autobusit të “Durmo Turs” është Durmish Beluli, pronari i kompanisë, Ramiz Miftari, zyrtari përgjegjës për transportin në këtë kompani dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski. Ata akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, ndërsa tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.
Aksidenti fatal me 16 të vdekur 30 të lënduar ndodhi më 12 shkurt 2019, kur në orët e mbrëmjes në autostradën Shkup – Tetovë, në afërsi të fshatit Llaskarcë, autobusi i kompanisë “Durmo Turs” humbi drejtimin duke u aksidentuar rëndë.
Procesin gjyqësor për aksidentin e nisur në shtator të vitit 2019 e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski. (INA)