Sot nis gjykimi ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar që gjykimi i parë në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës, i cili do të nisë më 15 shtator, në orën 9:30, në mjediset e DHSK-së në Hagë dhe do të transmetohet me një vonesë prej 45 minutash.“Aktakuza kundër z. Mustafa u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni përfundimtar u bë publik më 28 shtator 2020. bKundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe përgjegjësisë penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill 1999. Në ditën e parë, Kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të çelë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohet aktakuza, do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij dhe do ta pyesë të akuzuarin nëse e ka kuptuar aktakuzën dhe nëse dëshiron t’i qëndrojë deklarimit të tij të mëhershëm. Në këtë çështje i akuzuari është vetëdeklaruar i pafajshëm”, thuhet në njoftim.