Për tri ditë resht, më 25,26 dhe 27 maj do të mbahet sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ndërkaq referuar agjendës Kosova është në rend dite.
Sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të mbahet në Sofje të Bullgarisë, gjersa Kosovës pritet t’i avancohet edhe zyrtarisht statusi, nga ai vëzhgues në anëtar të asociuar.
Driton Hyseni, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-së kohë më parë në një intervistë për Telegrafin kishte njoftuar se zyrtarizmi i avancimit të statusit të Kosovës do të bëhet më 27 maj, në Sofja të Bullgarisë kur mbahet edhe sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ai kishte thënë se kjo paraqet një përmbushje të gjitha atyre veprimeve që kanë ndërmarrë gjatë kësaj legjislature si delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës.