Sot përcaktohet fati i negociatave, Cakaj: Maqedonia e Veriut të mos ndahet nga Shqipëria

0

Pak orë para para vendimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ministri i Jashtëm shqiptar Gent Cakaj pret një përgjigje pozitive për të dy vendet.

Ai përjashton kategorisht mundësinë e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, duke theksuar se kjo e fundit ka përmbushur të gjitha kushtet.

Një vendim pozitiv i Këshillit për hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është thelbësore nesër! Duhet të përjashtohet çkyçja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria. Nevojitet vlerësimi i drejtë dhe objektiv. Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet. Është koha që BE të ofrojë dhe mbajë të besueshëm procesin e zgjerimit.

Vendimi do të merret gjatë samitit që do të zhvillohet në Luksemburg të martën. Para nisjes drejt Luksemburgut, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra.

Megjithatë, sipas Deutsche Welle vendimi pritet të shtyhet për në shtator të këtij viti, pas vendimit të qeverisë së Holandës që e konsideron hapjen e negociatave për Shqipërinë si të parakohshëm.