Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sot pritet të shpallet aktgjykimi për rastin e dyfishtë të vrasjes që tronditi opinionin publik – rrëmbimi dhe vrasja e 14-vjeçares Vanja Gjorcevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.
Për këto krime akuzohen pesë persona: Ljupço Palevski – Palço, Velibor Manev, Bore Videvski, Vllatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorcevski, i ati i vajzës së ndjerë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit kanë organizuar rrëmbimin e Vanjës me qëllim që të detyrojnë një anëtar të afërt të familjes së saj të paguajë shpërblim. Ndërsa Pançe Zhezhovski është rrëmbyer për të siguruar automjetin e tij “Citroën”, që do të përdorej për rrëmbimin e Vanjës.
Procesi gjyqësor zgjati më pak se një vit. Të akuzuarit mohuan fajësinë gjatë fazës fillestare të gjykimit, ndërsa mbrojtja e tyre argumentoi se Prokuroria nuk ka arritur të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm përfshirjen e tyre, duke kërkuar aktgjykim lirues.
Nga ana tjetër, Prokuroria kërkoi dënime maksimale – burgim të përjetshëm për Palevskin, Manevin, Videvskin dhe Keshishev, si dhe dënim proporcional për Aleksandar Gjorcevskin.
Shpallja e aktgjykimit pritet sot nga gjykatësi Ivica Stefanovski, pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse dhe shqyrtimit të provave.
Rasti ka ngjallur reagime të forta emocionale dhe thirrje për drejtësi në opinionin publik, për shkak të rrethanave të rënda dhe mizorisë së veprimeve të kryera ndaj viktimave. Ngjarja tragjike ndodhi në nëntor të vitit 2023. Vanja Gjorçevska u shpall e zhdukur më 27 nëntor, ndërsa disa ditë më pas u gjet e pajetë pranë rrugës Prilep–Veles. Trupi i Pançe Zhezhovskit u gjet në afërsi të lumit Vardar. Vrasjet u cilësuan si veprime të planifikuara dhe me qëllim përfitimi material.(INA)