Në Gjykatën Themelore në Tetovë për sot është caktuar vazhdimi i gjykimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.
Më 16 janar të këtij viti nuk u zhvillua seanca e caktuar, e që më pas u shtyer për sot, për shkak të mungesës së një prej të pandehurve, drejtorit ekonomik të Spitalit Klinik, Artan Etemi, i cili kishte rast vdekje, përcjell INA.
Gjatë seancës së sotme pritet të deklarohen dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilëve herën e fundit iu tha se duhet të vijnë sërish më 31 janar. Në seancën e fundit më 27 dhjetor 2022, përfaqësuesit e Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë në Gjykatë i kanë paraqitur titujt e provave shkresore të dorëzuara me aktakuzë.
Të pandehurit, drejtorët Fjorin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranojnë fajin dhe se nuk pranojnë se kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.
Procesi gjyqësor ka nisur më 7 dhjetor 2022 për zjarrin e ndodhur më 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 10 persona. (INA)