Sot zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së

Komisioni i Rithemelimit po zhvillon sot zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ku garojnë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi.

Procesi i votimit ka nisur prej orës 8.00 dhe do të mbyllet në orën 18.00. Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Zgjedhjet po zhvillohen në 108 qendra qendra votimi në të gjithë vendin, ku i pari në fletën e votimit është vendosur ish-kryeministri Sali Berisha kurse i dyti i Ibsen Elezi.

Zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë do të zhvillohen përmes parimit një anëtar një votë.

Sipas Rithemelimit anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Në Tiranë do të votohet në 16 degët e kryeqztetit, po ashtu në Kamëz dhe në Paskuqan. Në Lezhë janë 3870 anëtarë që do të votojnë, në Mirditë 1200 anëtarë dhe në Kurbin 1700 anëtarë.

Në qytetin e Fierit po votohet në 6 qendra votimi. Në Patos do të votohet në 1 qendër votimi me afërsisht 1400 anëtarë. Në Mallakastër janë 950 anëtarë, ku pritet të votojnë 500 antarë në qendrën e votimit tek teatri i qytetit. Në Roskovec do të votohet në 2 qendra votimi me afërsisht 650 anëtarë, ku pritet të votojnë 500.

Në Kukës janë hapur tre qendrat e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të PD, dy në qytet ku do të votojnë anëtaret e qytetit, të grup seksioneve të Grykës së Vanave, Topojan, Shishtavec, Zapod, Bicaj, Malzi, Terthore, Shtiqen, Surroj, Arren, Kolsh. Qendra tjetër është në fshatin Bushtrisë, ku do të votojnë grup seksionet Bushtrice Ujmisht,Gryke- Caje dhe Kalis. Edhe anëtarët që nuk janë në listë do të marrin pjesë në zgjedhje duke votuar me kartë anëtarësie të shoqëruar me letërnjoftim.

Në Korçë ka vetëm një qendër votimi në zyrën e degës, numri i listës është 2800 ndërsa aktivë janë 1100 anëtarë. Devolli ka 2400 anëtarë dhe do të jetë një qendër votim e ndare ne 2 komisione. Në Maliqi janë 2200 anëtarë, ku do të votohet me 2 qendra votimi, një në Maliq, një në Pojan me 1000 votues aktivë. Në Ersekë janë dy qendra votimi, Erskë, Leskovik, me rreth 700 anëtarë, afërsisht 400 aktivë. Në Pogradec janë dy qendra votimi, me afërsisht 700 votues aktivë.

Në Dibër, do të votojnë 1150 anëtarë në Pallatin e Kulturës. Në Bulqizë kutisë së votimit do t’i drejtohen 2200 anëtarë. Në Mat dhe Klos do të votojnë 1300 anëtarë.

1200 anëtarë do të votojnë në Krujë në dy qendra votimi, njëra tek selia e partisë në Krujë dhe tjetra në një lokal në Thumanë.TCh