Spahiu: Rasti i Maqedonisë dhe Bullgarisë është më i ngjajshmi me atë të Kosovës e Shqipërisë

0

Profesori i shkencave politike dhe analisti i mirënjohur, Nexhmedin Spahiu në një intervistë për INA nënvizon se rasti i Maqedonisë dhe Bullgarisë është më i ngjajshmi me atë të Kosovës e Shqipërisë.

“Është çështje dypalëshe. Natyrisht, nga raportet e acaruara mes Maqedonisë e Bullgarisë përfiton Serbia, kurse pos maqedonëve e bullgarëve më së shumëti pëson Kosova e Shqipëria”, nënvizon profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu.

Ai në intervistën e shkurtër flet për aspekte historike që mbajnë peng këtë kontest, pozicionin e shqiptarëve rreth kësaj çështje si dhe ndikimet e faktorëve të tjerë rajonal dhe strategjik.

Analizat e prof.dr.Spahiut shquhen për kah sensi kritik, guximi për t’u marrë me çështjet më delikate në situata të rrezikshme dhe parashikimi i saktë proceseve politike. Në një ese të botuar në fillim të vitit 1992, Spahiu ka paraparë epilogun e luftërave në ish Jugosllavi, bombardimin e Beogradit nga NATO, dhe shumë zhvillime tjera politike.

 

Intervistoi:Naser Pajaziti

 INA: Kontesti maqedono – bullgar është një problem i ri që po tangon dhe sfidon Maqedoninë e Veriut dhe të ardhmen e saj.  Si e shihni këtë kontest, ku pas një marrëveshje për fqinjësi të mirë, procesi i finalizimit të saj është bllokuar tek dallimet për identitetin, gjuhën dhe historinë maqedone?

Nexhmedin Spahiu: Kombet e vogla gjithmonë kanë telashe poshtërimi nga kombet më të fuqishme. Maqedonia nuk bënë përjashtim. Pasi Bashkimi Evropian pranoi kushtet e padrejta që Greqia i vuri Maqedonisë, pse këtë mundësi të mos e shfrytëzojë edhe Bullgaria për disa çeshtje ku në aspektin shkencor historik ka shumë më shumë të drejtë se sa Greqia.

Është fakt historik se gjatë regjistrimeve në Perandorinë Osmane sipas përkatësisë etnike apo kishtare, nuk ka pasë të regjistruar si maqedonë në territorin e Maqedonisë. Shumica absolute e popullsisë së krishterë të Maqedonisë ka qenë e deklarauar si bullgare.  Vetë kryeheroi kombëtar maqedon Goce Delçev (1872-1903) veten e ka konsideruar bullgar.

Sidoqoftë, këto fakte nuk ia mohojnë të drejtën e kësaj popullsie që vetën e tyre dhe gjuhën e tyre ta quajnë ashtu si duan, dhe të konsiderojnë për heronj kombëtarë ata që duan.

INA: Si njohësi i zhvillimeve ballkanike, cili është realiteti apo e vërteta rreth fatit të maqedonëve?

Nexhmedin Spahiu: Rasti i Maqedonisë dhe Bullgarisë është më i ngjajshmi me atë të Kosovës e Shqipërisë. Territori Maqedonisë së Veriut u pushtua nga Serbia atëherë kur Serbia pushtoi Kosovën e Sanxhakun e Novi Pazarit, më 1912.  Sjellja e pushtuesve serbë ndaj popullatës së krishterë në Maqedoni ishte asimiluese, për dallim nga sjellja kundër popullatës myslimane  që ishte shfarosëse. Gjyshërit e maqedonëve të sotëm konsideroheshin serbë të jugut dhe detyroheshin që të ndjeknin liturgjitë nga popat serbë. Por në vitet 1915-1918  dhe 1941-1944, Bullgaria e aneksoi territorin e Maqedonisë së sotme pa viset me shumicë shqiptare të cilat iu bashkangjitën Shqipërisë. Më 1944, ashtu sikurse komunistët shqiptarë ia dorëzuan Kosovën e Sanxhakun e Novi Pazarit Serbisë, në të njëjtën mënyrë komunistët bullgarë ia dorëzuan Serbisë Maqedoninë. Komunistët serbë nuk tentuan më tutje serbizimin e kësaj popullate, por synuan distancimin e saj nga kultura e kisha bullgare. Njësoj si rusët në rastin e Moldavisë u krijuan maqedonëve alfabet të veçantë dhe një standard gjuhësor që e quajten gjuhë maqedone. Me paraqitjen e pluralizmit politik në Maqedoni, forca më e madhe opozitare VMRO-DPMNE u shfaq si forcë pro-bullgare kurse LSDM që trashëgoi Lidhjen Komuniste të Maqedonisë ngeli forcë politike pro-serbe. Gjatë qëndrimit të VMRO-së në pushtet, dhe derisa Perendimi ishte preokupuar  me Kosovën,  forcat pro-serbe e morën nga brenda VMRO-në dhe natyrshëm LSDM në opozitë u ngeli forcave pro-bullgare. Me ndihmën e Perëndimit, forcat pro-bullgare u kthyen në pushtet më 2017.

Është e sigurtë se bashkimi i Maqedonisë me Bullgarinë nuk do të ndodhë, sikurse që nuk do të ndodhë as bashkimi Kosovë-Shqipëri, por Bullgaria (dhe vendet e Perëndimit) kanë interes që Maqedonia të jetë më larg Serbisë e më afër Bullgarisë.

INA: A mendoni se ky kontest mund të ketë edhe përmasa më të gjëra, që mund të nxiten, apo  është vetem një çështje dypalëshe?

Nexhmedin Spahiu: Jo.  Është çështje dypalëshe. Natyrisht, nga raportet e acaruara mes Maqedonisë e Bullgarisë përfiton Serbia, kurse pos maqedonëve e bullgarëve më së shumëti pëson Kosova e Shqipëria.

INA: Cili duhet të jetë pozicionimi i faktorit politik shqiptar?

Nexhmedin Spahiu: Shqiptarët në Maqedoni duhet të përkrahin palën maqedone që është në favor të marrëveshjes me Bullgarinë. Diplomacia kosovare dhe diplomacia shqiptare duhet  të inkurajojnë marrëveshjen mes Shkupit e Sofjes. Në këtë kontekst, duhet që në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe institucioneve të tyre flamuri i Kosovës të vendoset në çdo vend ku vendoset flamuri i Shqipërisë. Kjo për të treguar respekt dhe dashuri të njëjtë si ndaj Kosovës si ndaj Shqipërisë, e kësisoji me i dhënë shembull maqedonëve që për të pasur një identitet kombëtar nuk kanë nevojë ta mohojnë origjinën e tyre etnike e as historinë e përbashkët me Bullgarinë, njësoj sikurse që Kosova nuk e mohon as origjinën e përbashkët etnike e as historinë e përbashkët me Shqipërinë përkundër faktit që ka ndërtuar identitetin e vet të veçantë kombëtar.

INA: A prisni se do të ketë një finalizim të këtij procesi së shpejti apo do ketë devijime dhe vonesa, pasi që  kemi protesta dhe tentime të opozitës për të rrëzuar Qeverinë dhe penguar këtë proces?

Nexhmedin Spahiu: Vështirë të parashikohet. Serbia do të investojë që sa më shumë maqedonë të këmbëngulin në kundërshtim të kërkesave bullgare. Sa më problem që bëhet Maqedonia, harrohet Kosova nga vëmendja e Perëndimit dhe Beogradi e zien çorben e vet. Plus që Serbia ka interes direkt që kultura, sentimenti e edhe vet shteti Maqedon të jenë sa më larg Bullgarisë e sa më afër Serbisë. (INA)