Spanjë, fillon gjyqi ndaj 12 politikanëve dhe aktivistëve katalanas

0

Të martën në Spanjë filloi gjyqi ndaj 12 politikanëve dhe aktivistëve separatistë katalanas, të akuzuar për organizimin e kryengritjes dhe krimeve të tjera që lidhen me deklarimin e paligjshëm të pavarësisë së Katalonjës.

Deklarimi i pavarësisë u bazua tek rezultatet e referendumit për pavarësinë në 1 tetor të vitit 2017. Qeveria rajonale e Katalonjës e zhvilloi referendumin në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese të Spanjës, që pati marrë vendimin se votimi ishte i paligjshëm. Gjyqi që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë të Madridit, i cilësuar edhe si “gjyqi i shekullit”, mendohet të jetë procesi gjyqësor më i rëndësishëm i Spanjës në katër dekada demokraci. Gjyqi filloi ndërsa fati i qeverisë së kryeministrit Pedro Sanchez qëndron tek negociatat e minutës së fundit me partitë separatiste të Katalonjës, për mbështetjen e projektbuxhetit të vitit 2019. Sanchez mund të detyrohet të kërkojë zgjedhje të parakohëshme, në se separatistët votojnë kundër planit të tij buxhetor.

Partitë separatiste kanë kërkuar negociata me zotin Sanchez lidhur me vetë-administrimin e Katalonias, rajonit verior të Spanjës, por qeveria thotë se Kushtetuta e ndalon këtë me ligj. Gjyqi ndaj separatistëve katalonas mbahet në një mjedis të ngarkuar politikisht në Spanjë, mes protestave të mbështetësve dhe kundërshtarëve të tyre. Ish udhëheqësi i Katalonjës Carles Puigdemont, i cili ka zgjedhur mërgimin në Bruksel, tha sot nga Gjermania se gjyqi ndaj 12 politikanëve dhe aktivistëve katalanas do të jetë një provë për sistemin gjyqësor dhe demokracinë në Spanjë.