Spasovski nuk dorëhiqet, ja arsyet e tij se pse nuk është përgjegjës për arratisjen e Mijallkovit?

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski nuk do të dorëhiqet , edhe pse opinioni dhe opozita priste një vendim të tillë, pas arratisjes së ish-shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov.

Spasovski tha se nuk do të japë dorëheqje pasi nuk ndjen përgjegjësi në arratisjen e të akuzuarit kryesor në rastin “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, ndërsa arratisjen e tij e sheh si lëshim të mosfunksionimit të sistemit. Ai thotë se që të ndjej përgjegjësi, duhet të ketë bërë lëshime. Ai ka shprehur bindjen se MPB ka vepruar ndaj të gjitha udhëzimeve.
“Që të ndjeni përgjegjësi për diçka, ju duhet të bëni një lëshim me qëllim apo të mos veproni ndaj këtyre udhëzimeve që u dhanë. Sipas kronologjisë së ngjarjeve, e shihni se Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar menjëherë nga momenti i marrjes së informacioneve tona”, tha Spasovski.

Sipas tij, Mijallkov për herë të fundit është parë të dielën në ora 14:40 minuta, duke lëvizur nga MEPSO drejt hotelit Merriot, i cili ka qenë i shoqëruar nga një femër dhe tre meshkuj, pas çka kanë hyrë në parkingjet nëntokësore. “Rreth orës 15:05 është vërejtur dalje nga parkingu i tre makinave, por që nuk ka pasur mundësi që të verifikohet nëse Mijallkov ka qenë në ndonjërën prej veturave”, theksoi ministri Spasovski.

Ai shtoi se sipas informacioneve të organeve të sigurisë, Mijallkov gjendet akoma brenda territorit të vendit. “Gjatë mbrëmjes së djeshme janë zhvilluar biseda me 10 persona, në mesin e të cilëve pjesëtarë të familjes dhe sigurimit. Janë marrë telefona, dokumente dhe pajisje tjera. Më lejoni që të hedh poshtë kategorikisht të gjitha shpekulimet për çfardo marrëveshje. MPB ka marrë të gjitha masat në dispozicion për të siguruar të arratisurin dhe aktivisht punon në gjetjen e të arratisurit dhe dorëzimin para drejtësisë”, tha mes tjerash Spasovski. Dorëheqjen e Spasovskit e kërkuan edhe partitë opozitare, të cilat kanë dorëzuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Zaev. (INA)