“Edhe pse kanë kaluar disa muaj që nga fatkeqësia që ndodhi në spitalin modular këtu në qytetin e Tetovës, rrënojat e këtij objekti vazhdojnë edhe më tej të qëndrojnë në të njëjtin vend pa u hequr. Edhe pse objekti tashmë nuk përbën objekt hetimi nga ana e prokurorisë dhe e policisë, të njëjtët ende nuk kanë dhënë leje spitalit të Tetovës që ti mënjanojë këto rrënoja”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Nga drejtoria e Spitalit thonë se dy herë i janë drejtuar Prokurorisë për të pyetur nëse modulari është ende objekt hetimi, por përgjigje nuk është marrë .
“Kemi dërguar shkresë zyrtare në prokurori por aso kohë ishte ende pa publikuar raporti gjerman dhe përgjigjja që morëm nga hetuesia ishte se pritet ky raport. Në ndërkohë kemi dërguar edhe shkresë tjetër dhe po presim përgjigje nga ana e prokurorisë që ky objekt nuk përbën objekt hetimi dhe të marrim masat e nevojshme. Sigurisht ne do konsultojmë edhe ministrinë dhe me kapacitetet tona do e rregullojmë këtë çështje”, tha Amir Elezi, Drejtor i Spitalit klinik Tetovë.
Ndërsa Elezi thotë se nuk ka përgjigje, Prokuroria e Tetovës për Alsat thekson se deri në përfundimin e procesit hetimor modulari i djegur duhet të mbetet aty ku është.
“Objekti i spitalit modular në Tetovë është edhe më tej objekt hetimi, deri në përfundimin e lëndës. Me përfundimin e lëndës, do dërgohet shkresë drejtuar kërkesës së Spitalit të Tetovës, që pastaj të merren masat për atë objekt”.- janë shprehur nga prokuroria themelore e Tetovës.
Spitali i djegur modular ndërkohë vazhdon ta ketë shiritin e sigurisë policore, por i njëjti nuk ruhet më nga policia.
“Pjesëtarët e policisë së Tetovës kanë siguruar çdo ditë objektin e spitalit, por ka ca kohë që nuk kërkohet nga ne që i njëjti të sigurohet dhe nuk kryhet sigurimi komplet i objektit, por policia e Tetovës në bazë të aktiviteteve të rregullta, kryen kontrolle gjatë patrullimit tek spitali modular, me qëllim që të ruhet vendi që të mos depërtojnë persona që mund të bëjnë dëme”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Në spitalin modular në Tetovë, nga zjarri që shpërtheu natën e tetë shtatorit e humbën jetën 14 persona, 12 pacientë dhe dy familjarë. /Alsat