“Sprinti” për titull akademik

0

Shkëlzen Halimi
Hajnia intelektuale ka bërë që shoqëria shqiptare thjeshtë të vlojë nga “akademikët” me tituj, por që në fakt nuk i ke askund për të kontribuuar së paku në atë lëmi ku u “frymëzuan” për temat e tyre. Mjaft dëme kanë bërë edhe individë me përvojë dhe të papërgjegjshëm në Prishtinë e Tiranë e gjetiu, të cilët hapën “dyqanet” e tyre për të shituar tema të gatshme. Sepse, për ta shkruar një temë së pari duhet të dish të shkruash shqip dhe të mendosh shqip. Ndërkaq, të tillët në Maqedoni i ke të paktë. Liberalizimi ekstrem i kritereve për të ardhur deri te një titull akademik, ka bërë që te ne kjo dukuri të bëhet thjeshtë modë, kurse institucionet e arsimit pasarela të “manekinëve” që ecin pa u trembur qerpiku i syrit e as pa u skuqur për faktin se në këtë mënyrë u bëmë gaz i botës. Sot, shumë më vështirë është të marrish ndonjë dokument identifikimi se sa një titull akademik, i cili në opinion nuk justifikohet me asgjë.
Sikur të mund të formohej një komision i pavarur me anëtarë eminent dhe njohës të të gjitha lëmenjve për verifikimin e këtyre titujve, atëherë ata që do të dëshmoheshin me origjinalitetin e tyre, do t’i numëronim vetëm me gishtat e duarve. Ata që kanë pasur mundësi të shfletojnë ndonjë përmbajte të këtyre temave, do të kenë mundur të vërejnë se në to ka aq shumë referenca, sa që po t’i mënjanosh, nga autori mbetet vetëm faqja e parë ku është shënuar emri i tij dhe titulli i temës. Pra, bëhet në stilin: ai ka thënë kështu, ky ashtu, ndërkaq “akademiku” ynë i ardhshëm nuk thotë asgjë, sepse nuk ka çka të thotë, sepse për të thënë diçka konkrete, duhet punë dhe hulumtime permanente shumëvjeçare.
“Sprinti” për t’u kurorëzuar me një titull është kuptuar si një mundësi reale për një vend pune në universitetet tona. Shumica prej tyre kanë arritur ta realizojnë ëndrrën universitare, kurse kjo gjithnjë e më shumë reflekton pasoja, të cilat tash për tash nuk u bëjnë përshtypje atyre që duhet të ndjejnë përgjegjësi, por edhe të turpërohen përpara kësaj dukurie tepër, tepër të shëmtuar.