Stefkovski: Zotohem për zgjidhje të problemeve të banorëve të Gazi Babës, që deri janë mashtruar e manipuluar

Intervista me Boban Stefkovski, kandidat i VMRO-DPMNE për komunën e Gazi Babës

Stefkovski: Zotohem për zgjidhje të problemeve të banorëve të Gazi Babës, që deri janë mashtruar e manipuluar

Kandidati i VMRO-DPMNE-së për komunën e Gazi Babës në Shkup, Boban Stefkovski në një intervistë për INA flet për nevojat që ka komuna e Gazi Babës, projektet prioritare që do ti realizojë, projektet për lagjen e Hasanbegut (Singeliqit), problemin me nxënësit shqiptarë në Idrizovë dhe Bërnjancë.

Ai thekson se ka projekte konkrete për banorët e komunës së Gazi Babës dhe sidomos i fokusuar edhe për lagjen e Hasanbegut (Singeliqit).

Si e vlerësoni gjendjen momentale në komunën e Gazi Babës?

Stefkovski: Shpeshherë kam thënë se edhe pse Gazi Baba është komuna e Shkupit me potencial të madh në çdo pikëpamje, ajo është e braktisur dhe e harruar. Nëse keni mundësi bëjeni një xhiro me makinë dhe vetë do ta shihni këtë. Terrene të boshatisura me bare, mungesë të vendeve të parkimit, rrugë me gropa të mëdha, janë vetëm një pjesë e fotografisë së përgjithshme të komunës. Kjo është ajo që shihet. Këtu nuk i llogaris disa projekte që tanimë kryetari aktual i nis në fund të mandatit dhe shpërndanë fotografi në fejsbuk.

E dyta, është se pushteti lokal i LSDM-së në vitin 2017 kishte slloganin e njohur  “Për jetë” dhe “Një shoqëri për të gjithë”. Por, e gjithë kjo mbeti vetëm një marketing i kot politik për të krijuar një përshtypje se ata nuk i ndajnë qytetarët në asnjë bazë. Megjithatë, Boris Georgievski na ndau, sepse favorizoi partnerët e biznesit dhe interesat e tyre, u përkujdes për rrethin e tij të ngushtë partiak dhe harroi qytetarin, i cili paguan tatimin dhe pret që komuna ti del në ballafaqim.

Nëse do të arrini të fitoni mandatin e kryetarit të komunës, cilat janë zgjidhjet prioritare apo të para ?

Stefkovski: Meqenëse dimri është pranë nesh, parashtrohet pyetje për ndotjen, çështje që ne si grup këshilltarësh të VMRO-DPMNE-së kemi bërë përpjekje mbinjerëzore për të parandaluar kryetarin e komunës që të sjell vendime të dëmshme. Më tej, problem është mbingarkesa dhe kaosi në komunikacion që krijojnë probleme në jetën e përditshme të qytetarit.  Është një problem që shpesh po parashtrohet nga qytetarët, por jemi edhe dëshmitarë të kësaj.

Ajo që më së shumti më frustron është mungesa e ujit të pastër të pijshëm në disa vendbanime rurale, kjo është e papranueshme, po pse mos të them edhe e jonjerëzishme. Këto janë gjëra që unë që në ditët e para të nis me planifikimin e masave për zgjidhjen e tyre.

Kemi dëgjuar shpesh ankesat e qytetarëve të vendbanimit të Hasanbegut (Singeliqit), të cilët thonë se janë të lënë pasdore nga pushteti lokal, gjegjësisht komuna. A do të keni një qasje ndryshe, ti merrni parasysh kërkesat dhe nevojat e tyre, apo çka keni paraparë në programin tuaj?

 

Stefkovski: Gjatë kësaj periudhe kam pasur mundësinë të vizitojë të gjitha vendbanimet përfshirë edhe Singeliqin, kam takuar banorët lokal dhe personalisht jam bindur se në çfarë mjedisi jetojnë. Vetë ata më kanë konfirmuar se ndjehen të mashtruar dhe manipuluar. Por kjo do të ndryshojë, dhe shansin e kemi më 17 tetor për një fillim të ri të sigurt.

Në programin tim për vendbanimin Singeliq marr obligim që të ndërtojë një çerdhe për fëmijë, ndërtimin e një mini sheshi apo qendre për të rinjtë, për fëmijët dhe për më të moshuarit, që ata të kenë ku të kalojnë kohën e lirë. Marr si obligim që të përmirësojë pamjen e hapësirës tek zyra e bashkësisë lokale duke vendosur pajisje urbane, të rikonstruojmë objektin e bashkësisë lokale, dhe të mos harrojmë se zotohem edhe për rregullimin e kanalit. Është e domosdoshme që të ndërtohet edhe stadium apo terren për të lozur fëmijët. Ne kemi projekt edhe për nxënësit e shkollës “25 maji”, të cilët kanë nevojë për sallë të re sporti për mësim më cilësor në edukatë fizike si dhe rregullimin e oborrit shkollor.

Kjo nuk është e gjitha, ashtu që si kryetar dhe administratë komunale do të jemi të hapur për të gjitha sugjerimet dhe propozimet për të përmirësuar funksionimin e përditshëm të qytetarëve nga kjo pjesë e Gazi Babës.

Por, ankesat më të mëdha janë për infrastrukturën rrugore në këtë pjesë të komunës. A keni zgjidhje konkrete?

Stefkovski: Pjesa urbane e Singeliqit do të jetë e përfshirë në një projekt më gjithëpërfshirës përmes të cilit parashihet revitalizimi, rekonstruimi, zgjerimi dhe asfaltimi i rrugëve lokale. Situata është e mjerueshme sidomos gjatë reshjeve më intensive të shiut dhe të borës, ku njerëzit aty pësojnë dëme të mëdha.

Po ashtu, edhe rrjeti i ujësjellësit tashmë është tejet i vjetër, dhe se duhet patjetër të rikonstruohet. Këto janë kushtet themelore që duhet ti ketë një vendbanim urban.

Dua të shtoj se edhe vendbanimi Straçincë nuk është harruar, dhe se përkundrazi edhe qytetarëve të këtij vendbanimi kemi çka i ofrojmë si zgjidhje për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre, si fushë multifunksionale sportive për të rinjtë, përmirësimin e furnzimit me ujë dhe rikonstruimin e shkollës. Këto janë tre aktivitetet e para me të cilët duam të tregojmë se nuk i harrojmë banorët e këtij vendbanimi.

Kjo komunë njihet edhe për problemin me nxënësit shqiptarë të Idrizovës, pasi që nuk sigurohen kushte për mësim në vendbanimin e tyre. Këto probleme nuk i zgjodhi kryetari i deritanishëm. A do të gjeni zgjidhje ju?

Stefkovski: Unë jam i njohur me këto problem që janë zvarritur dhe nuk është gjetur zgjidhje. Por, unë do të angazhohem që si komunë bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të fillojmë ndërtimin e një shkolle fillore të përbashkët për maqedonasit dhe shqiptarët. Kjo është kërkesa e të gjithë banorëve të Idrizovës dhe ai proces do të zhvillohet në atë drejtim. Do të angazhohemi që të gjejmë zgjidhje për çdo problem në arsim, për të siguruar fëmijëve kushte për mësim.

Ne e dijmë se tani jemi në fushatë, dhe se ajo do të kalojë, por a do ti qëndroni besnik këtyre zotimeve të premtuara?

 Stefkovski: Absolutisht keni të drejt, duhet ta mbajmë fjalën. Stili im i komunikimit është që të jem i hapur dhe i qasshëm. Sepse në fund të gjithë këtu jemi, jetojmë bashkë, edhe pas katër viteve. Dua të dëshmohem me vepra se kam respect ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim se kush janë, se a janë maqedonas, shqiptarë, turq, romë apo kushdo që të jenë. Mjaft është më, që të fshihemi pas fjalëve të mira dhe thirrjeve për unitet. Komunat duhet të tregohen në vepra. Bashkëjetesa është vlerë e jona që para100 viteve, nuk ka filluar me Boris Georgievskin dhe as me mua.

Kjo është arsyeja pse unë do të përpiqem të ketë bashkësi efikase lokale dhe urbane, të cilët do të kenë për detyrë që të përcjellin zërin e popullit, por edhe unë bashkë me të gjithë këshilltarët të jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët. I bëj thirrje qytetarëve që të lexojnë programin tim zgjedhor me të cilin zotohem dhe angazhohem para tyre.