Stevanoviq: Përqindja e vogël e të vaksinuarve dhe lëvizja e qytetarëve shkak që po rriten rastet pozitive

Rritja e rasteve pozitive me kovid këtë periudhë i referohet lëvizjes së shtuar, përqindjes së vogël të të vaksinuarve kundër koronavirusit dhe rënies së imunitetit, deklaroi për MIA-n drejtoresha e klinikës universitare për Sëmundje infektive dhe gjendje febrile, Milena Stevanoviq.

Për momentin, siç informoi, të hospitalizuarit janë dhjetë pacientë të Klinikës infektive dhe vetëm disa janë me pasqyrë të rëndë klinike.

“Ajo që mund të vërehet është se për dallim nga ditët e kaluara, tani ka nga 20 pacientë në ditë për kontroll”, thotë Stevanoviq.

Thirrja e drejtoreshës është se nevojitet të rritet përqindja e personave të vaksinuar, sepse është më se e qartë se vaksinat japin mbrojtje dhe pasqyrë më të lehtë klinike nëse vihet në kontakt me virusin.

Në pajtim me të dhënat nga Instituti për shëndet publik, në periudhën prej 1 deri më 3 korrik, nga 1 695 testime, janë regjistruar 290 raste të reja me Kovid-19, prej të cilëve më së shumti janë nga Shkupi-186.

Nga numri i përgjithshëm i personave pozitivë, 49 janë riinfektuar. Janë shëruar 250 pacientë, ndërsa nuk ka paraqitje për persona të vdekur.

Për momentin, aktivë janë 935 raste të koronavirusit. Në pajtim me të dhënat nga ISHP, numri më i madh i rasteve aktive janë në kryeqytet, dhe atë 536, më pas në Manastir – 59 dhe 42 në Kumanovë. Pa asnjë rast aktiv janë Vallandova, Kratova, Demir Kapia, Makedonska Kamenica, Pehçeva dhe Dojrani.

Rekomandimet nga Komisioni për sëmundje ngjitëse mbeten të njejta si deri më tani. Komisioni rekomandon qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm dhe ta mbrojnë shëndetin e tyre dhe atë publik dhe t’i zbatojnë masat e përgjithshme për mbrojtje, siç janë maskat mbrojtëse, mbajtja e distancës dhe larja e shpeshtë e duarve.

Tani për tani mbetet në fuqi vetëm obligimi për mbajtje të detyrueshme të maskës në institucionet shëndetësore, entet përkujdesëse, barnatore dhe transportin publik.