Stoltenberg ka një mesazh pas ngritjes së flamurit të NATO-s para Qeverisë në Shkup

0

“Zgjerimi i NATO-s drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta përforcojë Aleancën, do të ndihmojë për stabilizimin e rajonit dhe do t’i përforcojë shtetet ballkanike të cilat do t’i bashkëngjiten Aleancës Veriatlantike”. Kështu është shprehur Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës, në të cilin për herë të parë do të ketë përfaqësues edhe nga Maqedonia, si anëtare e ardhshme e NATO-s. Ai gjithashtu përshëndeti pjesëmarrjen e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinskas në këtë takimin.

Jens Stoltenberg, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s
“Jam shumë i kënaqur që në këtë takim ne mirëpresim për herë të parë kolegun tonë nga Shkupi, Ministrin e Mbrojtjes (Radmila Sekerinska). Republika e ardhshme e Maqedonisë Veriore tani ka një vend në tryezën e NATO-s “.

Stoltenberg theksoi se NATO ka rol kyç në zgjidhjen e konfikteve, duke përmendur këtu konfliktet ushtarake dhe krimet që në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar kanë ndodhur në territorin e Ballkanit Perëndimor.

Jens Stoltenberg, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s
“NATO ka rol kyç në zgjidhjen e atyre konflikteve, në ndalimin e luftërave dhe në stabilizim. Ende ekzistojnë shumë sfida dhe probleme, por është shumë inkurajues se kemi anëtare siç janë Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e ardhshme”.

Takimi dy-ditor i ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s do të jetë i dedikuar për marrëdhëniet me Rusinë, bashkëpunimin dhe sigurisë evropiane dhe misionet e Aleancës.