Stoltenberg: NATO, e përkushtuar që Ukraina të triumfojë

INA
INA

23/02/2024

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët e aleancës janë të përkushtuar që të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina “të triumfojë” në betejën e saj për t’i zmbrapsur forcat pushtuese ruse, me aleancën që ka “ndryshuar ndjeshëm” qëndrimin e saj, duke i ofruar armë më të avancuara Kievit.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në përvjetorin e dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, shefi i NATO-s tha se solidariteti me Ukrainën nuk është vetëm korrekt, por po ashtu “është në interes të sigurisë sonë”.

“Ne mund të presim që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina të triumfojë, sepse kjo është thënë shumë qartë nga aleatët e NATO-s”, tha Stoltenberg.

“Gjithmonë e kam theksuar se kjo nuk është bamirësi. Ky është investim për sigurinë tonë dhe mbështetja jonë bën dallimin në fushëbetejë çdo ditë”, shtoi ai.

Ukraina ka shumë nevojë për ndihmë financiare dhe ushtarake në mes të sinjaleve për lodhje politike në Perëndim, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës shënon përvjetorin e dytë të nisjes më 24 shkurt.

Në një pjesë të kësaj interviste, të publikuar më herët gjatë javës, Stoltenberg tha se vdekja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, dhe fitoret e para ruse në fushëbetejë pas muajsh të tërë duhet të ndihmojnë që vëmendja e NATO-s dhe aleatëve të saj të përqendrohet në nevojën urgjente për të mbështetur Ukrainën.

Vdekja e Navalnyt në një burg në Arktik më 16 shkurt, nën rrethana të dyshimta – autoritetet ruse thonë se do të duhen edhe dy javë para se trupi i tij t’i dorëzohet familjes së tij – shton nevojën për të siguruar që udhëheqja autoritare e presidentit rus, Vladimir Putin, të mos kalojë pa u ndëshkuar.

“Besoj fuqishëm se mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e Aleksei Navalnyt është të sigurohemi që presidenti Putin të mos fitojë në fushëbetejë, por Ukraina të triumfojë”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg tha se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdijivkës javën e kaluar, pas muajsh të luftimeve intensive, dëshmon nevojën për më shumë ndihmë ushtarake “që të sigurohemi që Rusia nuk bën më përparime”.

“Ne nuk besojmë që fakti që forcat ukrainase u tërhoqën nga Avdijivka, në vetvete përbën ndryshim të ndjeshëm të situatës strategjike”, tha ai.

“Por, kjo na kujton ne se Rusia ka vullnet që të sakrifikojë shumë ushtarë. Ajo gjithashtu bën përfitime të vogla territoriale dhe Rusia ka marrë ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Irani, Koreja e Veriut, dhe ka qenë në gjendje të rrisë prodhimin e saj”.

Aleatët e Ukrainës janë përqendruar në paketën e ndihmës ushtarake të SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh. Por, përderisa kjo ndihmë mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, shtetet e tjera, përfshirë Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë kanë rritur ndihmën e tyre për Kievin.

“Sigurisht, ne jemi të përqendruar te Shtetet e Bashkuara, por ne po ashtu shohim se si aleatët e tjerë veçse kanë nisur të rrisin dhe të dërgojnë mbështetje të rëndësishme në Ukrainë”, tha Stoltenberg gjatë intervistës dhënë për REL-in.

Në pyetjen se kur Ukraina do të jetë në gjendje të dislokojë avionët luftarakë F-16, Stoltenberg tha se nuk mund ta thotë. Ai përsëriti se aleatët e Ukrainës duan që këta avionë të dërgohen në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur, por efekti i avionëve F-16 do të jetë më i fuqishëm nëse pilotët stërviten mirë dhe nëse ekipet e mirëmbajtjes dhe personeli mbështetës janë të përgatitur mirë.

“Pra, unë mendoj se duhet të dëgjojmë ekspertët ushtarakë saktësisht kur do të jemi gati apo kur aleatët do të jenë gati të dërgojnë dhe dorëzojnë avionët F-16”, tha ai. “Sa më shpejt, aq më mirë”.

Ukraina vazhdimisht ka kërkuar të posedojë avionët F-16 të prodhimit amerikan, për ta ndihmuar që të luftojë superioritetin ajror që ka Rusia. Gushtin e vitit të kaluar, Uashingtoni miratoi dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda dhe fluturaket do të dërgohen në Ukrainë sapo pilotët të përfundojnë trajnimin.

Do të jetë në duart e çdo aleati që të vendosë nëse dëshiron të dërgojë në Ukrainë avionë F-16 dhe aleatët kanë politika të ndryshme, tha Stoltenberg. Por, në të njëjtën kohë, lufta në Ukrainë është një luftë agresioni dhe Kievi ka të drejtë të vetëmbrohet, përfshirë kryerjen e sulmeve ndaj caqeve legjitime ushtarake ruse jashtë Ukrainës.

I pyetur për mundësitë që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane që mbahen këtë vit, SHBA-ja do të mbetet një aleate e përkushtuar i NATO-s sepse është në interes të sigurisë së SHBA-së.

Trump, që aktualisht është kandidati kryesor për të marrë nominimin për president të Partisë Republikane, nxiti kritika të ashpra nga presidenti Joe Biden, liderët evropianë dhe NATO-ja, pasi gjatë fushatës zgjedhore më 10 shkurt sugjeroi se SHBA-ja mund të mos mbrojë shtetet aleate nga një pushtim i mundshëm rus, nëse aleatët nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

Stoltenberg tha se SHBA-ja është më e sigurt dhe më e fuqishme së bashku me mbi 30 aleatë, diçka që Kina dhe Rusia nuk e kanë.

Kritikat për NATO-n kanë pasur për synim aleatët që shpenzojnë më pak për mbrojtjen e tyre, tha ai.

Por, Stoltenberg tha se të dhënat e reja tregojnë se gjithnjë e më shumë aleatë po përmbushin synimin e shpenzimit të 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në mbrojtje, dhe kjo sipas tij tregon se aleanca ka bërë përparim që kur u vendos ky cak i shpenzimit më 2014.

Atëbotë, vetëm tre anëtarë të NATO-s shpenzonin 2 për qind të BPB-së në mbrojtje. Tani, ky numër, sipas Stoltenbergut, është 18.

“Nëse i mblidhni së bashku të gjitha ato që bëjnë aleatët evropianë dhe të krahasonin atë me BPB-në totale në Evropë, në fakt sot është 2 për qind”, tha ai. “Kjo është e mirë, por nuk është e mjaftueshme sepse ne duam që çdo anëtar i NATO-s të shpenzojë 2 për qind. Ne po ashtu sigurohemi që 2 për qindi të jetë një minimum”.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

lindja mesme iran irak izrael

Pse Irani sulmoi Izraelin – dhe pse janë armiq?

Antonio Guterres

Sulmet iraniane/ Shefi i OKB-së: As rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një tjetër luftë

sulmet iriani izrael mbrojtja raketore raketa

Reagimet nga SHBA, Franca, Britania dhe Egjipti

sulmet iriani izrael mbrojtja raketore raketa

Izraeli: Do përgjigjemi ndaj çdo shteti që lejon kalimin e dronëve nga Irani

sulmet iriani izrael mbrojtja raketore raketa

Irani thotë se ka përfunduar me sulmin ndaj Izraelit, i kërkon SHBA-së të “qëndrojë larg”

An Ukrainian national flag flag waves over the center of Kharkiv, Ukraine's second-largest city, Friday, Feb. 4, 2022. The situation in Kharkiv, just 40 kilometers (25 miles) from some of the tens of thousands of Russian troops massed at the border of Ukraine, feels particularly perilous. (AP Photo/Evgeniy Maloletka)

Parlamenti i Ukrainës miraton ligjin e ri për mobilizimin ushtarak! Rregullore e ashpër për burrat, ja çfarë parashikohet

Biden

Biden premton mbështetje ‘të hekurt’ për Izraelin mes frikës së sulmit nga Irani

anije1

Tre armiqtë historik bëhen bashkë kundër Kinës në Paqësor

Biden

Biden: Netanyahu bën një gabim në Gaza

INFO

NA NDIQ