Shkruan Prof. DR Sunaj Raimi
Këto ditë po dëgjojmë nëpër media se si disa struktura shoviniste maqedone në Gjykatën Kushtruese po synojnë ta shfuqizojbë Ligjin për Gjuhën Shqipe në RMV!
Të na zhbëjnë kauzën kryesore për të cilën u bë lufta e 2001, u derdh aq gjak dhe ranë aq dëshmorë! Tani është koha që të gjitha Partitë Politike Shqiptare në Maqedoni të reagojnë ashpër, duke ua bërë me dije këtyre elementeve destruktive se pa barazinë e shqiptarëve në RMV, nuk mund të ketë Maqedoni të rahatshme!
Politikanët tanë në RMV, si ata në pushtet, ashtu edhe të tjerët në opozitë, le ta ndërpresin luftën e inateve politike, duke u bashkuar në mbrojtjen e shenjtërisë atdhetare – Gjuhës amtare!
Le të bëhen burra dhe t’iu dërgojnë mesazhe serioze autoriteteve maqedone se nëse vazhdon ky shovinizëm gjuhësor ndaj nesh, shqiptarët mund të organizohen në sistem paralel në shtetin e përbashkët. Kasta politike shqiptare në Maqedoni duhet njëzëri të angazhohet për mbrojtjen e pakusht të të gjitha drejtave të shqiptarëve, sepse këte e kanë obligim moral ndaj qytetarëve që i kanë zgjedhë!
Në të kundërtën, nëse këtë gjë nuk e bëjnë tani, me çka e rrezikojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, atëherë qytetarët mund të organizohen vet për mbrojtjen e gjuhës amtare. Mohimi dhe reduktimi i gjuhës shqipe ka vite që po na ndodhë, ndërsa politikanët tanë po e luajnë rolin e strucit.
Andaj, le të zgjohen dhe të veprojnë si atdhetarë sa s’është bërë vonë, se për këtë gjë historia mallkon! Të mos harrojmë: në këso raste partitë politike mund ta humbin legjitimitetin popullor dhe të shuhen të turpëruara, me që nuk e kanë luajtur funksionin e tyre pse janë krijuar. Këtë rrezikim të identitetit gjuhësor të shqiptarëve në RMV duhet ta alarmojnë edhe autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë tek misionet ndërkombëtare, që këta të marrin masa për evitimin e këtyre lojërave të rrezikshme me pasoja të pallogaritshme! Sepse në Ballkanin e çoroditur, provokimet e tilla nacionaliste shpeshherë kanë prodhuar konflikte të cilat e kanë rrezikuar ekzistencën e popujve dhe të shteteve.