Studentët shqiptarë drejt Gjermanisë, jepen 46% më shumë leje qendrimi

0

Trendi i studentëve shqiptarë që po zgjedhin të studiojnë jashtë ka qenë në rritje së fundmi. Pjesa më e madhe e tyre i janë drejtuar universiteteve europiane. Të dhënat e publikuara nga Eurostat treguan se vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë 2360 leje qëndrimi të reja për studentet shqiptarë. Në raport me një vit më parë ku numër është rritur me 17%.

Numri i studentëve që kërkojnë të studiojnë jashtë ka shënuar rritje vit pas viti. Në 2014-n Bashkimi Europian dha për studentët 1627 leje qëndrimi të lëshuara për herë të parë. Prej atëherë numri i tyre ka qenë në rritje, veçanërisht në dy vitet e fundit.Në 2017-n numri i lejeve të dhëna për studentët shqiptarë ishte 2025.Ndër arsyet kryesore të largimit, përveç përmbushjeve akademike, është edhe pakënaqësitë që kanë me arsimin në vend. Në dhjetor të këtij viti akademik studentët nga universitetet në të gjithë Shqipërinë u ngritën të protestonin për një arsim më cilësorë, ulje të tarifave dhe përmirësimin e kushteve në auditorë dhe në konvikte.

Të gjithë drejt Gjermanisë

Ashtu sikurse për të punësuarit, Gjermania është destinacioni kryesor për shqiptarët që emigrojnë për arsye studimi. Gjatë 2018-s janë dhënë 781 leje qëndrimi, rreth 46% më shumë se një vit më parë. Një vit më parë janë dhënë për këtë arsye 535 leje qëndrimi.

Pas Gjermanisë numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit për arsye edukimi e ka Italia. Sipas shifrave të Eurostat janë dhënë 526 leje për shqiptarët, nga 337 që u lëshuan një vit më parë.

Në vend të tretë renditet Franca me 2015 leje qëndrimi, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 156, Austria me 132 dhe Holanda me 83 leje.

Stoku më i lartë i studentëve shqiptarë është regjistruar në Itali dhe Greqi, ku janë të përqendruar edhe pjesa më e madhe emigrantëve me leje qëndrimi. Por vitet e fundit tendenca ka qenë gjithnjë e më shumë në rritje në vendet e perëndimit.

Jo vetëm në perëndim

Leje qëndrimi janë dhënë edhe nga vendet e Europës Lindore. Sipas të dhënave për vitin 2018 nga shteti rumun janë lëshuar 78 leje, ndjekur nga Bullgaria me 73 leje.

A do të rikthehen studentët?

Në një kohë ku treguesit e emigracionit po shënojnë rritje me një ritëm të shpjet, probabiliteti që të kthehen studentët që shkojnë të studiojnë jashtë është shumë i vogël. Përveç që studentët mësohen me jetesën në vendet ku studiojnë, shanset për të gjetur një vend punë po aq të paguar në Shqipëri janë të ulëta. Të larguarit për arsye studimi janë kryesisht moshat e reja. Largimi i tyre ndikon si përbërjen demografike duke përshpejtuar plakjen e popullatës në vend, edhe në largimin e “trurit”, pasi përbëjnë potencial për forcë punëtore të kualifikuar në vend./MONITOR