Studentët zviceranë vizituan Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Rreth pesëdhjetë studentë të Fakultetit të Edukimit ngaUniversiteti i Cyrihut kanë vizituar Misionin Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih.

Ata janë pritur në dy takime të ndara nga Udhëheqësi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës, z. Sami Kastrati dhe i gjithë stafi në ambientet e Konsullatës.

“Gjatë këtyre dy takimeve të ndara në grupe me nga rreth njëzet e pesë studentë, Udhëheqësi i Misionit Konsullor në Cyrih, z. Kastrati, i shoqëruar edhe nga Këshilltarja, Znj Shukrije Ramadani dhe Sekretarja e Dytë në Konsullatë, znj Bahrije Sylejmani, u kanë shprehur mirëseardhje mysafirëve dhe i kanë falënderuar ata për interesimin e shprehur në lidhje me vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Konsullatës, transmeton Albinfo.ch.

Udhëheqësi i Misionit Konsullor, Sami Kastrati, u ka bërë një prezantim edukatorëve të ardhshëm zviceranë mbi historinë, kulturën, atraksionet turistike/bukuritë natyrore, kuzhinën tradicionale, zhvillimin e marrëdhënieve të afërta mes dy popujve dhe dy vendeve gjatë dekadave të fundit dhe rolin e jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve të vendit tonë që kanë pasur në thellimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve dypalëshe nëpërmjet asaj që sot njihet edhe si diplomacia qytetare.

“Studentët zviceranë janë shprehur të kënaqur për mikpritjen dhe për mundësinë që u është dhënë për të vizituar Konsullatën dhe për të mësuar më shumë rreth Kosovës nga diplomatët kosovarë në Cyrih”, thuhet tutje në njoftim.

Studentët zviceranë të Fakultetit të Edukimit gjatë viteve të kaluara e kishin vizituar Kosovën si pjesë e programit të tyre edukimit, por, këtë vit kjo ishte e pamundur si rezultat i situatës së krijuar nga virusi COVID-19.