Studiuesit japin shpresë! Çfarë do të ndodhë, nëse do të vaksinohet i tërë vendi ndaj koronavirusit

Një qytet brazilian ka parë një rënie prej 95 për qind të vdekjeve të COVID-19, pasi pothuajse të gjithë të rriturit u vaksinuan si pjesë e një eksperimenti, thonë studiuesit. Serrana, me 45 mijë banorë, është qyteti që nuk ka raportuar asnjë rast të ri pas një vaksinimi masiv.

Ekipi tha se ata që nuk ishin vaksinuar ishin gjithashtu të mbrojtur nga zvogëlimi i qarkullimit të virusit, transmeton Telegrafi. Gjetjet sugjerojnë se pandemia mund të kontrollohet pasi 75 për qind e njerëzve të jenë vaksinuar plotësisht. Brazili është goditur rëndë nga pandemia, me gati 463 mijë vdekje dhe mbi 16.6 milionë të infektuar, raporton bbc.

Vendi po lufton me një fushatë të ngadaltë vaksinimi për shkak të injektimeve të pamjaftueshme, ndërsa mesatarja e vdekjeve ditore dhe rasteve mbetet e lartë mes mungesës së masave të bashkërenduara për të frenuar infeksionet. Eksperimenti në Serrana, në shtetin jug-lindor të Sao Paulos, u krye midis shkurtit dhe prillit nga Instituto Butantan.

Qyteti u nda në katër zona për të ndihmuar në përcaktimin e pragut për të përmbajtur virusin. Ekipi tha se kjo u arrit pasi tre zona, ose rreth 75 për qind e popullsisë mbi moshën 18 vjeçare u ishin dhënë të dyja dozat. Kur 95 për qind e të rriturve u vaksinuan plotësisht, ata thanë se rezultatet treguan se – vdekjet ranë me 95 për qind, shtrimet në spital ranë me 86 për qind dhe rastet simptomatike pësuan rënie me 80 për qind.

Ricardo Palacios, drejtor kërkimi në Butantan, tha se shifra kryesore ishte 75 për qind. “Rezultati më i rëndësishëm është se ne mund të kontrollojmë pandeminë pa pasur nevojë të vaksinojmë të gjithë popullatën”, tha ai. Palacios gjithashtu tha se kishte një rënie të numrit të rasteve midis fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët nuk ishin vaksinuar. Kjo mund të tregojë se nuk kishte nevojë për të vaksinuar fëmijët për hapjen e shkollave.

Sipas Palacios, vaksina ishte gjithashtu efektive kundër variantit të njohur fillimisht si P.1, dhe tani i quajtur Gamma, që u identifikua për herë të parë në qytetin verior të Manaus dhe është fajësuar për një rritje të rasteve në të gjithë vendin. Serrana, rreth 315 km nga Sao Paulo, është i rrethuar nga qytete që po përballen me një rritje të infeksioneve. Një bllokim është në Ribeirao Preto, i vendosur 24 km larg me një popullsi prej 710 mijë banorësh, transmeton Telegrafi. Rezultatet e eksperimentit mund t’i japin një shtysë CoronaVac, e cila po përdoret nga dhjetëra vende në zhvillim. Kishte disa polemika rreth vaksinës këtë vit, pasi provat klinike në Brazil, Indonezi dhe Turqi vunë efikasitetin e saj në një interval prej 50 për qind deri 90 për qind. CoronaVac është një vaksinë e inaktivuar dhe funksionon duke përdorur grimca virale që ekspozohen në sistemin imunitar të trupit, pa rrezikuar një përgjigje serioze të sëmundjes.

Eksperimenti në Serrana ishte i pari i këtij lloji në botë, thanë autorët e tij. Nuk kishte raporte të efekteve anësore të rënda nga vaksina dhe asnjë vdekje të lidhur me coronavirus midis atyre që ishin vaksinuar 14 ditë pasi morën dozën e dytë, treguan rezultatet. Një studim i ngjashëm po kryhet në një qytet tjetër brazilian, Botucatu, i cili ka një popullsi prej 148 mijë banorësh. Studiuesit po përdorin vaksinën Oxford/AstraZeneca, të prodhuar nga instituti brazilian, Fiocruz. Brazili ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në botë pas SHBA-së dhe numrin e tretë më të lartë të rasteve, me më shumë se 16.5 milionë. Senati brazilian po zhvillon një hetim mbi trajtimin e presidentit, Jair Bolsonaro të pandemisë dhe ngadalësimin e programit të vaksinave.