Subvencione shtesë për drithërat

Në Maqedoninë e Veriut të gjithë fermerët që kanë një ose më shumë hektarë drithëra mund të aplikojnë për një subvencion shtesë. Kusht është që ta dorëzojnë prodhimin në objektet e përpunimit apo blerësit vendas dhe të aplikojnë deri në fund të tetorit të këtij viti…

Një masë shtesë prej 5.760 denarë për hektar është siguruar për prodhuesit e drithërave të cilët kanë korrje prej një apo më shumë hektarësh grurë, elb, thekër, tërshërë dhe luledielli dhe të cilët do ta dorëzojnë në objektet vendore përpunuese apo blerëse.

Masa shtesë e këtij viti është modifikuar. Në vend të kufizimit të mëparshëm të sipërfaqeve prej 5 deri në 50 hektarë, tani për të aplikuar fermerët duhet të kenë të paktën një ose më shumë hektarë dhe të kenë arritur një rendiment prej të paktën 4000 kilogramë për hektar për grurin, 3000 për elbin, thekrën dhe tërshërën dhe 1500 kilogramë për luledielli.

Të gjithë fermerët të cilët i plotësojnë kushtet për të marrë këtë mbështetje do të mund të aplikojnë në mënyrë elektronike dhe në kërkesë duhet të paraqesin një certifikatë për drithin e dorëzuar të lëshuar nga një objekt i regjistruar përpunues.

Ata fermerë që nuk mund të aplikojnë vetë për mbështetje financiare do të mund t’u drejtohen njësive rajonale të Ministrisë së Bujqësisë për ndihmë. Afati për dorëzimin e dokumenteve është deri në fund të tetorit të këtij viti.(INA)