Sulë Hotla, trimi nga Hotla që luftoi për bashkim kombëtar

SULË HOTLA

Sulejman Asip Sulejmani, i cili hyri në historinë e pastër shqiptare si SULË HOTLA, u lind në fshatin Hotël të Likovës – Kumanovës, në vitin 1875, në një familje bujare shqiptare me tradita të theksuara kombëtare e fetare. Fëmijëria dhe rinia i kaloi në një kohë kur në këtë nënqiell gërshetoheshin interesat e errëta të shteteve dhe popujve fqinjë grabitqarë. Andaj, Sula qysh i ri do ta kuptojë peshën e madhe të lirisë kombëtare, prej kur edhe do të sendërtohet në të ndjenja e lartë sublime ndaj atdheut.

Gjatë kohës së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS), Sulë Hotla do të jetë vetë mbret në trevën e Karadakut të Likovës e Kumanovës, duke u vënë në mbrojtje të popullatës civile vendase nga sulmet barbare. Prej vitit 1927 e deri më 1941, ai ishte udhëheqës i të ashtuquajturës Komunë e Mateçit, në të cilën përfshiheshin shumica e fshatrave malore të Karadakut të Kumanovës në Banovinën e Vardarit. Nëpër të gjitha zgjedhjet që asokohe janë mbajtur në çdo tre vjet, Sulë Hotla ka ngadhënjyer, duke gëzuar përkrahje të pakontestueshme nga e gjitha popullata e kësaj ane. Madje, është interesant momenti kur Sulë Hotla herën e parë i fiton votat e gjithë popullatës në zgjedhjet demoratike për kryetar komune. Në atë kohë për kundërkandidat e kishte pasur njëfarë Jovicën, serb i Mateçit, i cili nga inati i madh i humbjes nga patrioti shqiptar Sulë Hotla, pas tre ditëve pëson infarkt në zemër dhe vdes.

Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (SKS), rreth vitit 1922, ai përleshet me regjimin serb të kohës dhe arratiset në malet e Karadakut, duke u strehuar më tepër në fshatin malor Brezë dhe përreth tij. Atje do të qëndrojë 6-7 muaj, ndërsa jatak më të sigurtë në këtë periudhë e kishte pasur Jashar Bushin e Brezës. Më pas do të zihet nga regjimi serb dhe dënohet për revolucion kundër pushtetit! Gjatë kësaj kohe, shënohet tentimi i tij për thyerjen me forcë të burgut të Kumanovës. Kur merr vesh familja këtë gjë, xhaxhai i tij Iseni, detyrohet t’i shesë dy hektarë tokë pjellore që familja e tij i kishte në fushën e fshatit Llopat. Me këtë, dënimin me burg e kompenzon me të holla të majme dhe arrinë të lirohet. Me gjasë, për një periudhë Sula duhej të ketë pushuar veprimtarinë e vet dhe më vonë, si burrë i pjekur dhe me autoritet, zgjedhet delegat në Kuvendin mbretëror në Shkup, si përfaqësues i denjë i popullatës shqiptare të kësaj ane disa vite me radhë.

Deri në vitin 1941, kur definitivisht edhe në këto hapësira do të shpërthejë Lufta e Dytë Botrore, Sulë Hotla ka qenë prezentues i drejtpërdrejtë i problemeve dhe interesave të kësaj popullate. Siç dihet, më 6 prill 1941, Gjermania e sulmon Jugosllavinë dhe për një kohë shumë të shkurtër e pushton atë. Sipas të dhënave gojore, kur gjermanët hyjnë në këtë pjesë dhe shohin se gati të gjithë janë shqiptarë, në Shkup e mbledhin parinë e kohës, beglerët, duke dashur që atyre t’ua besojnë sundimin, por ata nuk pranojnë, nuk zotohen se mund të qeverisin nën koloninë gjermane. Pas kësaj, Komandanti gjerman e thërret në ndihmë mbretin bullgar Borisin, i cili më pastaj e anekson këtë pjesë të Maqedonisë. Me vendosjen e bullgarëve në këto anë, Sulë Hotla do të arrijë të emrohet Komandant i stacionit policor në Mateç, dhe në atë mënyrë rendin dhe rregullin do ta vendosë vetë me bashkëpunëtorët e tij shqiptarë. Këtu bëhet fjalë për formimin e njësitit të ashtuquajtur Kontraçeta, në përbërjen e të cilit nuk do të mund të hyjë asnjë bullgar, serb apo maqedonas, përkundër insistimit të udhëheqësve bullgar. Me këtë rast, Sula fillimisht do t’i veshë me uniformë 30 policë shqiptarë, nga të cilët 20 të fshatit Mateç, kurse të tjerët nga fshatrat tjera shqiptare të Karadakut. Në këtë mënyrë, në rrethana të reja ai do të arrijë të punojë në krijimin e një territori autonom shqiptar, me synim të bashkangjitjes së tij pjesëve tjera të cunguara të trungut shqiptar.

Sundimi bullgar nuk zgjati shumë, kurse Sulë Hotla ndër të parët nga këto anë do të ndjejë rrezikun e ardhjes së proletarëve të kuq dhe ideologjisë së zezë komuniste, andaj edhe i pari në këto anë do të vendosë të kundërshtojë deri në pikën e fundit këtë mallkim kombëtar. Në këto rethana, ai bashkë me Mulla Dullën e Hotlës dhe bashkëluftëtarë tjerë, do të fillojë me organizimin e çetave vullnetare nacionaliste shqiptare, duke luftuar për mbrojtjen e popullatës civile nga zullumi i pushtuesve partizano-çetnikë. Këtu e këndej, veprimtaria luftarake e Sulë Hotlës për flamurin kuq e zi, do të vazhdohet me rezistencë të armatosur kryesisht në bjeshkët e larta të Karadakut të Shkupit e Kumanovës, ndërsa fshati Brezë do të jetë një nga vendstrehimet e tij më të sigurta me bashkëluftëtarët besnikë. Sula shumë shpejtë do të lidhet me veprimtarë të shquar antikomunistë nga Kosova e Shqipëria, të cilët nuk do të zgjedhin mjete dhe metoda në luftën për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Bashkëpunon ngushtë me forcat e ushtrisë kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të udhëhequra nga Xhafer Deva.

Në funksion të ruajtjes së kompaktësisë kombëtare shqiptare në kufijtë e saj etnik, Sulë Hotla do të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe kontakte të vazhdueshme me krerët tjerë të nacionalizmës shqiptare, si Xhemë Gostivari, Mefailat e Kërçovës, Mulla Idriz Gjilanin, Ibrahim Kelmendin, Gjon Sereçin, Ferat Dragën, Avdyl Durrën, Hysen Tërpezën.
Krejt çeta e tij me luftëtarë trima, do të inkuadrohet plotësisht në strategjinë luftarake të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Kushtrimit për fitore të pushkës së Sulë Hotlës, do t’i bashkangjiten edhe qindra pushkë të Xhemë Gostivarit dhe Mefailave të Kërçovës për çlirimin e kryeqendrës dardane – Shkupin, duke e ngritur flamurin kuq e zi mbi Urën e Gurit më 12 shtator 1944, pasi kjo pjesë iu bashkangjit Shqipërisë etnike që nga 8 shtatori.

Në memoaret e tij, duke përshkruar gjendjen e para fillimit të luftimeve për mbrojtjen e Preshevës dhe kufijve etnikë, prof.Ibrahim Kelmendi shkruan: “Prej Kumanove, shkova në katundin Mateç, siç pata mësue gjindej Sylë Hotla me 150 vetë të armatosun. Përveç këtyne, ai kishte edhe tjerë shokë që kishin armë, dhe më tha se në rast nevoje edhe ata mund të vijshin. Për ketë plak të sinqertë, trim dhe me dinjitet, shokët e tij dhe të gjithë shqiptarët e rrethit të Kumanovës kishin respekt. Pa ndonjë vështirësi, ky plak kreshnik dhe unë u muarëm vesh me i luftue partizanët, se sa këta tentojshin me kalue hekurudhën, e cila ndan shumicën shqiptare prej shumicës serbo-maqedone. Me 11 shtator 1944, u ktheva në Preshevë…”.

Në rajonin e Karadakut të Kumanovës vepronte Bataljoni i Karadakut nën udhëheqjen e Sulë Hotlës, sipas urdhërave që vinin nga Mulla Idrizi, respektivisht prefektura e Gjilanit dhe Shtabi Suprem për Mbrojtjen e Tokave të Liruara Shqiptare të Kosovës Lindore. Këto forca vullnetare shqiptare shtriheshin përreth qytetit të Shkupit, duke i përfshirë vendbanimet: Satapetkë, Barovë, Çiflikë, Nerezë, Krushupekë, Gërçecë, Shishovë, të gjithë fshatrat e Dërvenit dhe në veri të Shkupit vendbanimet Bllacë, Nigishtan, Luboten, Tanishecë, Brezë, Malinë, Grushinë për të kaluar në Karadakun e Kumanovës.

Popullata shqiptare vazhdonte të kishte admirim të madh ndaj Sulë Hotlës, përskaj presioneve të vazhdueshme që po bënin shërbimet e fshehta jugosllave. Vetë kryeshefi i OZNA-s për qarkun e Shkupit, në një takim me kreun e Byrosë Politike të PKM-së thekson: “Më e komplikuar situata është në Kumanovë. Atje edhe pse janë kryer burgosje të një pjese jatakësh, përsëri deri te informacionet e sakta nuk kemi mundësi të vijmë”. Në vazhdim ai thekson: “Popullata shqiptare ka besim të plotë ndaj Sulës dhe disa anëtarëve të këshillit Popullor, kështuqë secili çoban apo fshatar dijnë për lëvizjen e bandave, mirëpo nuk i tregojnë pushtetit. Ata ndaj Frontit dhe pushtetit qëndrojnë anash”. Një frymë të tillë vërejmë edhe në dokumentin e 13 majit 1946, që ka të bëjë me mbledhjen e KQ të PKM-së, plenum me sekretarët e komiteteve të Shkupit, udhëheqësve të OZN-ës dhe instruktorët pranë KQ të PKM-së. Nga dokumenti po citojmë fjalët e kryeshefit të organizatës së rrethit të Shkupit, Tote, i cili në fjalën e tij thotë: “Gjendja më e ndërlikuar është me shqiptaët, ku janë kryer burgosje të jatakëve në rajonin e Kumanovës. Ata lidheshin me Shqipërin e vjetër – Sula ka marrë letër – është interesuar për armatën tonë. Bota shqiptare po krijon besim ndaj Sulës dhe disa anëtarëve të mbrojtjes popullore”.

Në të vërtetë, triumfi i ideologjisë komuniste në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe joshja e shumë shqiptarëve për kinse fitimin e të drejtës së vetëvendosjes pas dëbimit të fashistëve, gjithnjë e më tepër po ua mbyllte shtigjet luftëtarëve të kauzës së vërtetë kombëtare, për eliminimin e të cilëve tanimë ishin aganzhuar mijëra spiunë sllavë e shqiptarë. I gjendur në momente të tilla të një degjenerimi të kolektiv mendor, Sulë Hotla që atëherë do ta parashikonte lajthitjen e shumicës së popullit shqiptarë, si dhe përfundimin e Jugosllavisë komuniste të Titos, e cila po ngrihej me shumë pompozitet, në emër të vëllazërim-bashkimit të të gjithë popujve.

“Ky popull nuk e don lirinë. Tani të gjithë janë drejtuar kah Titoja, por do të vijë dita kur do të bëhen pishman (zhgënjehen)”, i thotë Sulë Hotla në një rast Mulla Hajdarit të Orizarës, pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme jugosllave të vitit 1945, kur me plebishit fitoi Partia Komuniste e Josip Broz Titos. (Citati është transmetim i fjalëve të Mulla Hajdarit gjatë hetuesisë në organet e UDB-ës në Shkup).

një pjesë e madhe e krerëve të nacionalizmës shqiptare, kurse pjesa tjetër do të arrijnë që të kalonin për në Greqi, me qëllim që t’u ikej kurthave dhe ndërskëmbzave komuniste. Sulë Hotla u ftua nga miku i ngushtë i idealeve Hysen Tërpeza, që t’i bashkangjitet në rrugën drejt Greqisë. Madje, këtë vetë Hysen Tërpeza ia kishte dërguar një kalë shale, mirëpo Sula nuk do ta lejë atdheun aq lehtë, duke vendosur që edhe më tej të vazhdojë rezistencën e armatosur. Nexhati Hasani (1943) nga Bllaca, përcjell një rrëfim të Tefik Tanishecit, që bën fjalë për çastin kur është bërë përcjellja për në Greqi e një numër të madh të ushtarëve të Hysen tërpezës dhe Sulë Hotlës. Para nisjes, në një moment çohet një ushtarë dhe i drejtohet Sulës me fjalët: “O Bacë, ti po na përcjell neve për në Greqi, por ku po mbetesh vetë?!”. Kurse, Sulë Hotla, zemërthyer i përgjigjet: “O vëllezër, udha e mbarë u qoftë juve dhe inshalla çka është më mirë për ju bahet, kurse unë po kthehem të jetoj në vendin dhe shpellën time. Do ta mbrojë shpellën derisa të më merr plumbi! Veç unë e di se sa nanën e kam lënë pa djalë. Kurrnjëherë nuk asht burrni për mua me i lanë ato nëna e ato familje të vetmuara, e unë me shpëtu”.

Në bazë të shënimeve të historiografisë shqiptare, por edhe asaj komuniste jugosllave, rezistenca kombëtare shqiptare e Karadakut të Kumanovës do të shuhet e fundit nga të gjitha trevat e Maqedonisë si republikë e ish-Federatës jugosllave. Kjo rezistencë e armatosur, identifikohet me Sulë Hotlën dhe tetë shokët e tij më besnikë, të cilët kishin vendosur që edhe vdekjen ta bëjnë bashkë. Në këtë mes ishin – Ali Sylë Staneci, Sami Shabedini nga Orizarja, Hamzë Bilalli – Bellanoca me të birin Arifin, si dhe katër vëllezërit nga Breza, djemtë e Ajet Eminit: Aliu, Shefkiu, Iseni dhe Rasimi. Këta të nëntë kandilat e kombit, do të vehen në kurthën e OZNA-së famëkeqe në fund të viti 1947, me kontributin e tradhëtarit Abdulla Osmani nga Mateçi, i cili falë shërbimeve të mëdha antishqiptare që i kishte bërë në llogari të sllavo-komunizmit, më vonë do të ngjitej në hierarkitë e larta të pushtetit.

Kurtha ndaj grupit të Sulë Hotlës ishte përgatitur një periudhë të gjatë nga kuzhinat e sigurimit shtetëror jugosllav, dhe për këtë gjë ishin angazhuar shumë spiunë sllavë e shqiptarë. Mëse dy javë do të zgjasë rrugëtimi i kobshëm i dinjitarëve të atdheut, të shoqëruar nga agjentët jugosllav. Në malin e Pelisterit, në këtë pikë jugore të vendit, ishte improvizuar kufiri grek. Vetëm pasiqë të gjithë detyrohen që paqësisht t’i dorëzojnë armët dhe municionin që kishin me vete, u tregohet e vërteta e hidhur – se të gjithë janë vënë në duart e OZN-as dhe se që të nesërmen do të transferoheshin në Shkup, ku i priste ekzekutimi i tmerrshëm komunist i 11 tetorit 1947.

Për këto krime kundër njerëzimit që u bënë pas përfundimit të luftës, komunistët jugosllav flisnin haptas edhe nëpër mbledhjet e tyre partiake, madje edhe krenoheshin me epshet e tyre të papërmbajtura shtazarake. Sekretari i Byrosë Politike të PKM-së, Kërste Cërvenkovski në një mledhje thekson: “Pas çlirimit të vendit tonë, shqiptarët kishin rënë nën ndikimin e propagandës shqiptaromadhe, e cila manifestohej me aksione luftarake kundër ushtrisë tonë, dhe përkrahnin bandat e Xhemës, Mefailit, Sulës dhe bajraktarëve tjerë. Andaj, organet tona morën masa dënimi, duke realizuar një sërë ekzekutimesh. Këto ekzekutime që u kryen ndaj disa reaksionarëve dhe bandave, nga ana e pjesës intelektuale shqiptare nuk u komentuan si masë revolucionare, por si masa për shfarosjen e pakicës shqiptare…”.

Edhe pas këtij fundi tragjik, është mjaft interesant të përmendet fakti se edhe për një kohë të gjatë pas likuidimit të Sulë Hotlës me shokë, populli shqiptar i Karadakut nuk do t’i besojë propagandës sllavo-komuniste. Madje, edhe shumë vite pas përfundimit të luftës, njerëzit do të mendojnë se Sula ende është gjallë, se ka dalë në Greqi, në Amerikë apo gjetkë, duke mos pranuar se një burrë i tillë si ai do të mund të tradhtohej dhe të vritej. Këtë gjendje të krijuar në opinionin shqiptar më së miri e spjegojnë edhe dokumentet e arkivuara të kohës, në të cilat vetë udhëheqësia e lartë e PKM-së do të ketë telashe me organizimin e vet, për shkak se emri dhe fryma kombëtare e Sulë Hotlës ende ishte e gjallë tek popullata shqiptare e Karadakut të Kumanovës. Funksionari i lartë Kërste Cërvenkovski, në një raport tjetër drejtuar Byrosë Politike të PKM-së dhe PKJ-së, konstaton: “Menjëherë pas çlirimit u mor aksioni për ta stabilizuar vendin, duke ju dhënë të drejta pakicës shqiptare. Me këtë u krijuan kushte për formimin e partisë, në rrethin e Dibrës dhe Kërçovës më 1945, ndërsa në rrethet e tjera kryesisht aty ka vitet 1947 dhe 1948. Mirëpo edhe përkundër asaj që është arritur stabilizimi politik, menjëherë duhet pranuar fakti se te masa shqiptare në atë moment nuk u arrit diferencimi politik dhe klasor. Mu për këtë edhe sot në qarkun e Tetovës dhe Gostivarit, grupi më i madh i popullatës ankohen për humbjen e banditëve në kohën e pastrimeve, dhe konsiderohet si një grushtë kundër shqiptarëve, për t’ua marrë të drejtat e tyre”. Më tej, Cërvenkovski në këtë raport shton se “në Kumanovë ende për Sulë Hotlën mbretërojnë legjendat dhe nuk besohet se ai është likuiduar. Edhe më tutje ai jeton në memoaret e tyre, kjo po vërehet në fshatrat: Hotël, Sllupçan, Mateç, Orizare etj …”.

Sidoqoftë, shpirti kryengritës i shqiptarëve të këtyre kufijve etnikë, do të jetë përherë i gatshëm të bëhet fli, në të mirë të çështjes së shenjtë kombëtare. Ky shpirt revolucionar do të shpërthejë edhe në tri luftërat e fundit të shqiptarëve në Ballkan: në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, pa e realizuar qëllimin përfundimtar, i cili tani tentohet të arrihet përmes rrugëve tjera.