Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se sulmi i tij raketor ndaj Izraelit ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit, duke paralajmëruar në X se operacioni i të martës ishte “vetëm një pjesë e fuqisë sonë”.
“Ky veprim ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit. Për t’i bërë të ditur (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu se Irani nuk është luftarak, por ai qëndron me vendosmëri kundër çdo kërcënimi. Mos hyni në konflikt me Iranin”, shkroi ai, raporton A2.
Në një mesazh të postuar në X, Udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi në hebraisht se goditjet kundër Izraelit do të bëheshin më të forta dhe më të dhimbshme.
“Me ndihmën e Zotit, goditjet e frontit të kryengritjes do të bëhen më të forta dhe më të dhimbshme mbi trupin e konsumuar dhe të kalbur të regjimit sionist”, tha ai, raporton A2.
Breshëria vjen pasi Izraeli nisi një operacion tokësor përtej kufirit të tij verior në Liban, duke synuar grupin militant Hezbollah të mbështetur nga Irani. Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një sulm ajror të premten e kaluar dhe shkatërroi udhëheqjen e forcës më të fuqishme paraushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur frikën për një luftë të re rajonale, shkruan A2.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e quajti sulmin me raketa iraniane kundër Izraelit të papranueshëm dhe shtoi se e gjithë bota duhet ta dënojë atë.
Blinken tha se ky sulm përfshinte “rreth 200 raketa balistike”. Izraeli fillimisht vlerësoi se 180 raketa u lëshuan në vend. Izraeli “e mundi në mënyrë efektive këtë sulm”, shtoi Blinken. (A2 Televizion)