Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosova njoftoi se ka shtënë më armë zjarri mbi një makinë në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ajo goditi makinën e policisë, ndërsa zyrtarët serbë thanë se një person është plagosur me këtë rast nga të shtënat e policisë.
Në njoftim të policisë thuhej se një njësi e saj “gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.
Ndërkohë zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë deklaroi se një pjesëtar i komunitetit serb është plagosur nga të shtënat e policisë.
Shefi i kësaj zyreje Petar Petkoviç tha se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës, në jug të Serbisë. Ai tha se njësitë policore kanë qëlluar mbi makinë me të cilën po udhëtonin dy qytetarë serbë “vetëm sepse ata nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë arsye”.
E për këtë ngjarje dhe prapaskena të këtij sulmi ndaj policisë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Fillimisht, ai u shpreh se shteti serb do të tentojë të përfitojë nga ky rast, ngjashëm si në rastin e Pantiqit.
“Në lidhje me situatën nga incidenti në veri mund të themi si dhe të konkludojmë se Serbia do të tentoj të përfitoj sikur me rastin e Dejan Pantiq në nivelin politik , në fazën në të cilën gjendet raporti Kosovë-Serbi të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ku dihet që emisarët i kanë përcaktuar afatet për këtë çështje”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Krahas kësaj, Shala vlerësoi lart reagimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët vepruan pasi jeta e tyre ishte kërcënuar.
“Në aspektin e sigurisë, Policia e RKS-së (pjesëtarët e NJSO) kanë vepruar sipas procedurës standarde operative duke u mbështetur në tri elemente kryesore që kërcënimi ishte akut për jetën e tyre, prandaj veprimet kanë qenë të domosdoshme, të arsyeshme dhe propercionale”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë potencoi se shteti serb përmes grupit rus “WagnEr” po tenton ta destabilizojë sigurinë në veri.
“Pika e kontrollit në afërsi të Bistricës ka karakter nerologjik për ta luftuar krimin, kontrabandën dhe për të mbrojtur rendin kushtetues të RKS-së.
Beogradi zyrtar e ka për qëllim që pjesën veriore ta shkëpusë nga mbikqyrja institutcionale e Kosovës sepse prezenca e operatorëve të NJSO, NJSI janë pengesë për Serbinë, ndërsa në anën tjetër paraqesin karakter të institucioneve të Kosovës
Serbia përmes elementeve destruktive (Wagner) tentoi t’i largoj elementin e sigurisë nga ajo pjesë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota Sot”.