Super Ibrahimovic, Milani e nis sezonin me fitore

0

Milani i Stefano Piolit e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri të Serie A duke marrë suksesin e parë dhe tre pikët e para. Kuqezinjtë mposhtën në San Siro me rezultatin e pastër 2-0 Bolognan e Sinisa Mihajlovic në një sfidë ku liderin e vërtetë të kuqezinjëve e bëri i përhershmi Zlatan Ibrahimovic.

Edhe pse pas disa ditësh do të mbushë 39-vjeç Zlatan nuk ndalet së shënuari duke realizuar dy herë për Milanin. Fillim më të mirë në kampionat nuk mund të kishte për bomberin suedez i cili shënoi nga një gol për çdo pjesë.

Në fraksionin e parë Ibra i shërbyer nga Theo Hernandez arriti të mposhte me një goditje të bukur me kokë Skorupskin në minutën e 35-të. Në të 52-ën Bennacer fitoi një 11-metërsh të cilin e kthehu në gol sërish Ibrahimovic.

Bologna u përpoq të reagonte por shtylla i tha jo golit të Santander ndërsa e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pasi në minutën e 88-të Dijks mori kartonin e dytë të verdhë. Fillimi mirë është gjysma e punës me Milanin që në këtë sezon ka objektiv kryesor kualifikimin në Champions League.

Top Channel