Shqiptarët në Greqi, të dytët pas kinezëve për leje qëndrimi, investitorë në blerje pasurie të patundshme mbi 250 000 €

Ministria e Jashtme e Greqisë dhe Administrata e Decentralizimit publikojnë statistikat e investitorëve emigrantë dhe tabela përbën padyshim një surprizë të mirë për shqiptarët. Dinamika e komunitetit shqiptar në Greqi, në rritje të vazhdueshme vitet e fundit, përbën një fakt të padiskutueshëm. Dikur të vuajturit, të heshturit e të braktisurit, me vullnet të hekurt e shumë durim, tashmë përbëjnë një pjesë thuajse vendimtare për ecurinë e ekonomisë dhe shoqërisë greke.

Shifrat flasin vetë, krahu punëtor shqiptar inveson në sigurimet shoqërore, në të ardhurat tatimore, brezi i ri në përqindje të lartë të diplomuar e superkualifikuar, të gjitha të dhënat vërtetojnë se komuniteti gradualisht nuk thjesht rrëzon stereotipet, por fiton terren akoma dhe në sferat më të pabesueshme.

Statistikat e fundit janë ndër faktorët më tregues. Kështu, në kategorinë e lejeve të qëndrimit 5-vjeçare, të ashtuquajturat Golden Visa, me investim në pasuri të patundshme 250.000 euro për vitin 2019 shtetasit shqiptarë renditen pas Kinës. Ndërsa, për vitin e pandemisë 2020 renditen të parët.

“Vërtet, kush grek mund ta imagjinonte këtë në vitet 90?’” një nga komentet më të përdorura sot në rrjetet sociale, nga kompetentë, juristë e aktivistë grekë për emigracionin. Kategoria e lejes së qëndrimit 5-vjeçare për investim parashikon një procedurë realitivisht të lehtë e të shpejtë, përderisa vendimi dhe leja dalin brenda 2 muajve nga kërkesa. Konkretisht, për shqiptarët nuk kërkohet as Visa e kategorisë D, pasi udhëtojnë lirshëm për 3 muaj në Schengen.

Aplikimi bëhet nga investitori ose përfaqësuesi ligjor, investimi duhet të jetë në shtëpi, tokë, hotel apo pasuri të palëvizshme, me leje qëndrimi të njëjtë pajisen dhe familjarët, ndërsa të drejtat që kanë janë akses si vendasit në sferën e shëndetësisë dhe arsimit si dhe rinovim të lejes me 5 vjet të tjera, nëse disponojnë akoma pronën e blerë./Balkanweb