Surroi: Samiti i Berlinit i dha fund aventurës së Thaçit

0

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se Samiti i Berlinit i dha fund aventurës së presidentit Hashim Thaçi.

“Samiti i Berlinit është fillimi i një tranzicioni prej dialogut të Brukselit drejt një stadi tjetër të procesit negociator. Pra, ajo që ka ndodh në Bruksel deri atëherë është pak a shumë e përmbyllur dhe ajo që ka ndodhur në Berlin është dhënia fund e një aventure që kishte degraduar në procesin e dialogut, e që mbërriti te këmbimi i territoreve dhe i njerëzve”, ka thënë Surroi.

Sipas tij, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, përmes këtij Samiti, treguan se do të ketë zhvillime më dinamike në këtë proces.

“Me sa jam unë i informuar, ekziston një bashkërenditje e plotë me Britaninë e Madhe dhe së fundmi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me sa e di unë, pjesë e komunikatës nga Samiti i Berlinit, është integruar edhe një pjesë e cila është prodhim i Departamentit të Shtetit më herët”, ka shtuar ai.