Tahir Sinani dëshmor i atdheut etnik

INA
INA

29/07/2023

Shkruan
EugenSHEHU

Rritur erërash e stuhish, përkundur gjëmimesh e krismash, liria e shqiptarit ka ardhur së pari duke gjetur rrugën e zemrës. Mandej atdheun e kanë matur me largësinë prej vatrës atërore, në shënjestër të pushkës. Mandej fisheku i pushkës ka mbajtur turravarapin në brigjet e përgjakur të Shqipërisë etnike. Ky rit i lashtë nuk ka qenë askurrë legjendë. Përkundrazi një realitet sa i dhimbshëm aq madhështor, sa i prekshëm aq edhe fluid, ai do të egzistonte kurdoherë si kundërpërgjigje e mednimit dhe veprimit vrastar të fqiut të lindjes e perëndimit, të veriut dhe jugut.

Kufijtë tanë etnikë të rudhur në decenie, nuk mund të na akuzojnë ne shqiptarët për sjellje burrecësh. Përkundrazi, ne i kemi ëndërruar të pashkelshëm ata kufij edhe në çastet e lume të flijimit. Ata kufij akuzojnë tjetërkënd që prej kohësh kanë dashur të na shtijnë në humbellat e historisë. Por ne nuk jemi pajtuar me këtë fat të mbrapsht, ne kemi ngarendur kurdoherë në emër të legjendës së lirisë. Në vargun e madh të burrave të Shqipërisë, në plejadën e ndritur të pararendësve, mban vendin e vet të merituar, trimi, luftëtari, vëllai, prindi i dhemshur, komandanti-vetëtimë,TahirSinani.

U lind më 6 maj 1964, në fshatin Gri të Tropojës, në shtetin amë shqiptar. Fshati Gri, mban në gurët dhe drurët e tij, një histori luftrash të përgjakshme, në mënyrë të veçantë me fqinjët tanë veriorë, serbët. Aty në kullën e madhe të Sinanajve në vitet 30 të shekullit që lamë pas, Mal Halili, i jati i Tahirit, do të luftonte kundër intervencioneve ushtarake serbe, për t’u renditur më pas në rreshtat e luftëtarëve shqiptarë kundër okupatorit. Mal Halili ishte prej së jëmës, nip i Mic Sokolit, këtij burri që u shndrrua në legjendë, në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me vrullin luftarak, mençurinë në biseda dhe fjalën e rëndë si guri, Mal Halili do të respektohej në vite  e Luftës së Dytë Botërore jo vetëm në fshatin Gri por edhe më gjerë.

Në këtë mjedis pothuajse epik, ku natyra e bukur shqiptare pat derdhur gjithë mrekullinë e saj, Tahir Sinani do të kalonte fëmijërinë e vet, ashtu sikundër gjithë fëmijët e tjerë në shtetin amë. Por, në vetëedijen e djaloshit truphedhur, pak nga pak do të zinte vend ligështimi. Përkrah babës Mal, ndërsa shkonte verës nëpër kullota alpine, do të shihte ushtarët e armatosur deri në dhëmbë që ruanin kufirin. Çfarë ironie paska mbajtur në thellësi kohrash fati i shqiptarëve. Vëllezër të ndarë më dysh, me mure gjaku lartësuar me tela gjembash, sprovë e flliqësive evropiane qysh në fillime të shekullit të njëzet. Qysh atëhere në shpirtin e madh të Tahir Sinanit lindej e rritej ideja e rrafshimit të kufijve midis shqiptarëve, ajo që rëndom quhet bashkimi i kombit në kufijtë e vet etnikë.

Mësimet e para Tahiri i merr në shkollën e fshatit, ndërsa të mesmet në gjimnazin e qytetit Bajram Curri. Tashmë ai ka një ëndërr, të studiojë artin e luftës dhe në bashkëbisedim me të jatin, Malin ja shpreh hapur atij dëshirën. Vet Mal Halili mbushet me krenari sepse njeri nga nëntë fëmijët, i gjashit, Tahiri sypatrembur dhe plot gjallëri do të studionte artin e luftës. Për plakun trim, kjo do të thoshte që ai do të ecte padyshim në gjurmë të gjyshit të vet, trimit Mic Sokoli. Burrëria e njohur e atyre anëve përcillej në këtë mënyrë nga gjenerata në gjeneratë duke marrë kuptime dhedimensionetëreja.
Artin ushtarak, Tahir Sinani do ta mësonte në bangat e shkollës si edhe poligonet taktike të Zall-Herrit, kështu quhej qendra stërvitore, pak kilometra në veri të Tiranës. Shtatlartë dhe shumë i gjallë Tahiri do të fillonte qysh në fillim respektin e shokëve dhe të komandës eprore. Në mbarim të vitit të parë mësimor, në shkresën që përcillte studentët për në vitin pasardhës, përbri emrit të Tahir Sinanit, pos të tjerave shkruhej: “Studion dhe thellohet në mënyrë të veçantë në ligjet e Artit tonë Ushtarak Popullor. Ka mardhënie shumë të mira me eprorët dhe shokët e vet. Përpiqet në çdo rast të ndihmojë ndonjë student të dobët.” (Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes- Tiranë. Fondi “Shkolla Zall-Herr”viti1983)

Bashkënxënësit e Tahirit, ata qindra djem të shkuar në Zall-Herr për të studiuar artin e luftës, nuk mund të harrojnë kurrsesi djaloshin nga Tropoja, me atë theksin e bukur verior, i cili ishte bërë mjeshtër i përdorimit të të gjitha llojeve të armëve. Në këtë mënyrë Tahir Sinani me kureshtjen që e ndiqte pas, u bë në dy vitet e shkollës në Zall-Herr jo vetëm njohës në perfeksion i këtyre armëve, por edhe zotërues i tyre. Emri dhe fotua e djaloshit të Tropojës do të rrinte kurdoherë në krye të studentëve të tjerë, ndërsa me mbarimin e shkollës, komanda ushtarake aty do të vendoste: “Titullimin oficer të Tahir Mal Sinanit për rezultate të larta në të gjitha nivelet e përgatitjes ushtarake.” (Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes-Tiranë. Fondi “Shkolla Zall-Herr” Reparti… viti1984)

Ç’prej këtij viti dhe deri në mars të vitit 1998, Tahir Sinani ka kryer disa detyra në efktivat e ushtrisë shqiptare. Pavarësisht prej qëllimeve politike që udhëhiqnin ushtrinë e këtyre viteve, pavarësisht prej ideologjisë që kishte kapluar klasën politike në shtetin amë, djaloshi tropojan kreu me përkushtim dhe aftësi të rralla të gjitha detyrat e ngarkuara, në të gjitha frontet. Nëse vëzhgon me kujdes dhe imtësi çdo lëvizje dhe prirje të tij, vëren se Tahir Sinani është indiferent ndaj propagandave boshe në radhët e ushtrisë shqiptare. Ai si pakkush, u është larguar detyrave që mund ta lidhnin me politikën dhe ka pranuar përherë vështirësitë, qofshin këto edhe të mëdha, vetëm e vetëm të jetë pranë shokëve të vet, apo pranë vartësve që deri në fund i konsideroi si vëllezërit më të vegjël.
Në fillim të vitit 1998, në mënyrë të veçantë për shqiptarët pranë kufijve me ish-Jugosllavinë, u duk qartë se makina e dhunës serbe po ndizte motorët për të filluar kasaphanën. Dhjetëra djem të Kosovës, të shkuar në pranverën e vitit 1998 në shtetin amë, dëshmuan për maltretimet e shkallëzuara me një ftohtësi matematike të Beogradit. Tahir Sinani i vëmendshëm ndaj këtyre ngjarjeve, ndjen së brendshmi se ka ardhur ora e apelit të madh. Fshehtas ai bisedon me njërin prej vëllezërve të tij dhe i kumton se së shpejti do të jetë përkrahë djemve të Kosovës, në mbijetesën e tyre ndaj dhunës gjenocidale të Beogradit.

Dhe bijtë e Kosovës martire, ata që u rreshtuan në radhët e Uçk-së, do ta njihnin Tahir Sinanin që në aksionin e parë, në Qafën e Pagarushës, ku brenda 1 orë e gjysëm luftimi, falë intuitës dhe zgjuarsisë së Tahirit, do të asgjësohej një bandë prej 19 vetësh e paraushtarakëve serbë, të cilët patën terrorizuar për dy javë rresht banorët e asaj treve. Në ditët dhe javët që rrodhën më pas, komanda e lartë e UÇK-së do të shihte në personalitetin e spikatur të Tahir Sinanit jo vetëm ushtarakun e talentuar dhe guximtar, por edhe vëllanë më të madh të bijve të Kosovës, të cilët linin familjet, kullat, shkollat dhe qytetet evropianë dhe rreshtoheshin nën komandën e burrit të Tropojës, për lirinë e amëshuar të trojeve shqiptarë.

Dihet tanimë se në marsin e vitit 1998, Adem Jashari së bashku me pjesën dërmuese të familjes së tij, u shndrrua në legjendë jo vetëm të Prekazit e Drenicës, por të krejt Kosovës martire. Situata pas kësaj përleshje mund të përkeqësohej nga çasti në çast. Në këto momente, Tahir Sinani kthehet në qytetin e Kukësit dhe ndërhyn pranë komandës ushtarake të divizionit aty, që të njoftohen sa më parë ushtarët zbulues rezervistë dhe të dërgohen ata në buzë të kufirit. Në bashkëpunim po me këtë komandë, Tahir Sinani merr masa të menjëhershme për forcimin e vrojtimit dhe të zbulimit, në mënyrë të veçantë në fshatrat kosovarë që ndodheshin në kufi me shtetin amë. Kur në 16 prill të po këtij viti, një repart i ushtrisë serbe hapi zjarr në afërsi të Qafës së Morinës, kundër kufitarëve shqiptarë për të parë reagimin e tiranës, në vendin e quajtur Pobreg kufitarët shqiptarëu kundërpërgjigjen, ndërsa në brendësi të Kosovës, u kryen edhe dy-tre veprime ilegale, me ç’rast ranë në kurth dy-tre ushtarë serbë. Aty ishte dora dhe mendja e Tahir Sinanit.

Mjeshtër i manovrës taktike por edhe i zbulimit, kalkulues i çuditshëm i pritave, parashikues i veprimeve të armikut, Tahir Sinani brenda pak javëve do të udhëhiqte një efektiv prej 120 luftëtarësh, në detyra luftarake të një rëndësie të veçantë. Emri i tij do të përcillej me respekt jo vetëm në Tropojë e Kukës ku njihej qysh më parë, por sidomos në shtabin e UÇK-së. duke parë pikërisht këto karakteristika si dhe duke njohur dashurinë e madhe të Tahirit për vise të Kosovës dhe krejt Shqipërisë etnike, komanda e lartë e UÇK, e emëron atë komandant të repartit “Arbëri” duke i dhënë detyra speciale në prapavija të ushtrisë sërbe. “Efektivat e njësitit special “Arbëri” po kryejnë detyra të rrezikshme në prapavija të armikut sa duke i ardhur në ndihmë popullsisë civile të paarmatosur, aq edhe duke organizuar dhe kryer aksione të befasishme, të shpejta, vdekjeprurëse për formacione serbe që veprojnë të shkëputur.” (Sipas informacionit në Ministrinë e Mbrojtjes-Tiranë, dt.19 qershor 1998)

Në janarin e vitit 1999, Evropa nuk mund të fshihte më mizoritë e kasapit të Ballkanit. Diplomacia amerikane nëpërmjet kanaleve të shumtë pati nxjerrë në dritë të diellit masakrën e Reçakut, duke i treguar botës se rreziku që u kanosej shqiptarëve dhe gjithë myslimanëve të Ballkanit ishte eminent. Grupi i Kontaktit pati vendosur për bisedime në Rambuje, ndërsa Milosheviçi bënte hesape të tjerë. Rreth 70 mijë forca serbe përgatisnin në dimrin e vitit 1999, një mësymje të fshetë dhe frontale të trupave të Beogradit, në mënyrë të veçantë në pjesën qendrore dhe lindore të Kosovës. Kjo mësymje do të shërbente për dy qëllime. Së pari, të goditeshin formacionet e UÇK-së në këto treva dhe pas kësaj të fillonte spastrimi etnik i popullsisë së pambrojtur civile. Pas kësaj, cilatdo që të ishin vendimet e marra në Rambuje, Beogradi nuk do t’i lëshonte askurrë këto troje, duke iu rikthyer ëndrrës së vjetër shovene për “Stara Serbinë”. Përballë kësaj gjendjeje tejet të rëndë, trupat e UÇK-së duhej të kryenin sfida të tjera. Në mënyrë të veçantë në marsin e vitit 1999, serbët po “pastronin” etnikisht në Kosovë, duke përshkallëzuar operacionet e tyre. Kufijtë shqiptarë me Kosovën, si ata të shtetit amë dhe ata me Maqedoninë apo Malin e Zi, u populluan me banorë kosovarë të pambrojtur që largoheshin frikshëm nga vendlindja vetëm e vetëm për t’i shpëtuar terrorit të Millosheviçit. Tahir Sinani në këto momente shumë të vështira për UÇK-në, jo vetëm që do të ndërmerrte operacione të guximshëm të qëndresës por do të mbante lart moralin e vartësve, duke udhëhequr me gjakftohtësinë dhe trimërinë karakteristike të tij. Ai do të merrte në disa raste në mbrojtje vargun e gjatë të njerëzve që i drejtoheshin Kukësit, duke bashkërenduar detyrat edhe me kuadro të tjerë të ushtrisë shqiptare në këtë rajon. Në frontin e luftës, i cili shtrihej prej Kalasë së Dodës e deri në Doberdol emri i Tahir Sinanit do të përcillej me respekt nga qindra luftëtarë të UÇK-së të ardhur nga të gjitha anët e botës.

Por në mënyrë të veçantë, talenti ushtarak i Tahir Sinanit do të potencohej në luftën e Pashtrikut, e cila ishte padyshim një prej fragmenteve më heroik të operacionit të planifikuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe që mbante emrin e koduar “Shigjeta”. Në bazë të planizimit të këtij operacioni parashikohej që lufta guerile e deriathershme të shndrrohej në një luftë frontale përgjatë kufirit Kosovë-Shqipëri. Faza e parë e këtij operacioni ishte sulmi për hapjen e korridorit të Koshares, i cili u kurorëzua me sukses, ndërsa faza e dytë parashihte luftën e rregullt në frontin e Pashtrikut. Nëse mbrojtja e fuqishme serbe në Pashtrik do të çahej, atëhere sipas planit në fjalë mësymja do të vazhdonte më tej në drejtim të Rahovecit ku do të mund të rimerrej qyteti i Prizrenit. Më pas, forcat operative të Pashtrikut, të Komanduara nga Tahir Sinani do të bashkëvepronin edhe me njësitë e tjera luftarake të Rrafshit të Dukagjinit dhe Drenicës dhe të ndihmuar nga forcat ajrore të NATO-s do të mund të ndalnin përfundimisht dhunën e makinës ushtarake serbe.

Dihet tanimë se ditët e para, operacioni i Pashtrikut nuk mund të realizohej sipas planizimit luftarak. Armiqtë tanë, duke parandjerë rrezikun, u përpoqën të mbanin me çdo kusht Pashtrikun, duke vënë në dispozicion të mbrojtjes tanke dhe autoblinda. Tahir Sinani, në bashkëpunim të ngushtë edhe me prijës të tjerë të UÇK-së, duke parë se mund të derdhej gjak i panevojshëm, vijuan luftimet me artileri, duke e kombinuar këtë me grupe snaiperash, të cilët patën depërtuar diçka në territoret e Pashtrikut dhe kryenin ende luftime të tipit guerril. Në ditët që vijuan më pas, forcat operative të Pashtrikut realizuan me sukses edhe luftën frontale. “Provat e vështira si instruktor i stërvitjes së trupave dhe i kuadrove, si komandant i njësitit special si komandant i Brigadës, ishin të mjaftueshme për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, për ta emëruar Tahir Sinanin, komandant të zonës së Pashtrikut… Luftimet dhe betejat në malet e Shkozës, në majën e Kikës, në luginën e Smonicës, betejat e Mollopovcës, Homocit, Rahovecit, Mileshës, sidomos përgatitja e zhvillimi i operacionit “Shigjeta” lartësuan më tej aftësitë dhe figurën e komandantit Tahir Sinani dhe shtabit të drejtuar prej tij.” (Revista “Pavdeksia” Tiranë shtator 2002)

Ofensiva trimërore e luftëtarëve të UÇK-së në prill-majin e vitit 1999 do të bënte që forcat serbe të linin me shpejtësi teritoret e pushtuara në Kosovë. Me intuitën dhe zgjuarsinë e tij, Tahir Sinani do të ndikonte edhe tek prijës të tjerë të UÇK-së që ofensiva të mos kishte luhatje, ajo të ishte kurdoherë në rritje sepse vetëm kështu mund të shndrrohej ortek të fuqishëm për të shkuar deri në kufijtë e amëshuar të lirisë. Lidhur me luftimet heroike të këtyre ditëve, kapiteni serb Vukashin Gajiç, i kapur rob nga luftëtarët e UÇK-së, midis të tjerave do të shkruante tekstualisht në fletoren e shënimeve: “Mjaft nga ushtarët tanë duan të braktisin frontin por policia ushtarake dhe forcat speciale na rrethojnë garnizonet ushtarake dhe tentativa më e vogël për dezertim shpërblehet me pushkatim.” (A.Imaj “Feniksi i lirisë” Tiranë 2001, faqe 157)

Dihet tanimë se në mesin e qershorit 1999, forcat sërbe po largoheshin plotësisht nga Kosova. Të parët kosovarë u dukën në kufijtë me shtetin amë duke dashur t’i jepnin fund sa më shpejt eksodit biblik të tyre. Kur serbët firmosën Marrëveshjen e Kumanovës (e cila në të vërtetë ishte akti i turpshëm i kapitullimit të tyre) gëzimi i mijëra ushtarëve të UÇK-së ishte i pandalshëm. Çuditërisht ky gëzim nuk ravijëzohej në ata sytë e mprehtë të Tahir Sinanit. Burri dhe ushtaraku i talentuar, i thërrisnin njëherësh arsyes për të gëzuar por edhe trishtimit për pjesë të tjera të truallit arbëror, të mbetura jashtë kufijve etnikë dhe që shtypja sllave vepronte me po atë egërsi sa në Kosovën e dikurshme.

Tahir Sinani kthehet në vendlindje për pak kohë. Ai çmallet me prindërit, vëllezërit, gruan, fëmijët. Trimi i Preshevës dhe Pashtrrikut, i Prizrenit dhe Rahovecit, mund t’i gëzohej tani lirisë, duke u prehur pranë vendlindjes dhe duke treguar “bëmat” e luftës nëpër baret e Tropojës apo faqet e gazetave. Kjo mund të ishte tejet e lehtë. Por Tahir Sinani, në tetor të vitit 1999, iu drejtua sërish formacioneve të UÇK-së i bindur se djemtë që do mbeteshin aty (shumë u larguan drejt Perëndimit nga patën ardhur) do të ndjenin mungesën e profesionalizmit, kurajos dhe për më tepër të atdhetarizmit të tij. Kështu, në krye të një rparti special, Tahir Sinani drejtohet në drejtim të Bujanovc-Preshevë-Medvegjë, të cilat ende mbaheshin nën vëzhgimin dhe kontrollin a armatosur të forcave serbe.
Natyrisht fitorja epokale e UÇK-së, e ndihmuar fuqimisht nga sulmet ajrore të NATO-s, kishte rritur së tepërmi moralin e luftëtarëve. Por në rastin e krijimit të asaj force, e cila më pas u quajt Ushtria e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, do të ndihej së brendshmi pjekuria e komandantit Tahir Sinani. Ai do të ndiqte me seriozitetin e duhur të gjitha hapat e politikë dhe diplomatikë të liderve të Kosovës lidhur me këtë trevë, duke dashur të shmangë sa më shumë luftën e armatosur. Pikërisht në zemër të kësaj treve, me fshehtësinë e duhur ai ngriti repartin special dhe filloi nga përgatitja e ofensivës, e cila fillonte me njohjen e terrenit pëllëmbë për pëllëmbë, për të vijuar më pas me organizimin e luftimeve. Edhe në luftimet e mëpasme në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë do të spikatnin guximi karakteristik dhe pjekuria e Tahir Sinanit.

Ndërkaq, në pranverën e viti 2000, sizmika parandjeu lëvizje në nëndheun e përgjumur të trojeve të Maqedonisë shqiptare. Të paërfillur në vite, të denatyruar, të goditur pikërisht në gjuhën dhe simbolet e tyre kombëtarë, shqiptarët etnikë e panë vehten të rrethuar keqazi nga politika. Madje jo vetëm nga politika sllavomaqedonase por edhe ajo shqiptare. Një lojë politike që thellonte krizën e mardhënieve ndëretnike, jo vetëm që nuk mund të vlente, jo vetëm që nuk mund të duartrokitej, por përkundrazi duhej t’i paraprihej me të vetmen bashkëudhëtare të shtrenjtë të shqiptarëve, pushkën.
Pikërisht në këto momente, kalon me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Kombëtare, në Luginën e Vardarit. Këtu, shqiptarët etnikë të ngritur në mbrojtje të interesave të tyre jetësore, kërcënoheshin nga prania e trupave ushtarakë maqedonas, këto vegla të verbëra të krimit që ideohej në zyrat e Beogradit dhe Shkupit. Njësiti luftarak i udhëhequr nga Tahir Sinani kryen stërvitje në kushte të fshehtësisë dhe të terrenit të panjohur prej maqedonasve, duke patur si piksynim përballimin e situatave më të vështira. Sigurisht që organizimi i tillë i Armatës Kombëtare Shqiptare, nuk do të mund të kalonte në heshtje prej segmenteve të caktuara të politikës së Shkupit. Kështu, në deklaratën e vet të 7 qershorit 2000, Antonia Milloshovski, zëdhënëse e qeverisë sllavomaqedonase, midis të tjerave do të shprehej për formacionet dhe prijësit e Armatës Kombëtare Shqiptare se: “këta janë kundër bashkëjetesës së popullit maqedonas dhe shqiptarëve…ndërsa qëllimi përfundimtar i tyre është ndryshimi me dhunë i kufijve dhe rikompozimi i rajonit sipas ideve etnike.” (“Flaka” Shkup, 8 qershor 2000).

Atëherë kur ndihej nevoja e një riorganizimi tjetër, Tahir Sinani emërohet komandant i Brigadës 116, veprimi luftarak i të cilës parashihte zgjidhjen e emergjencave në zonën Tetovë-Gostivar-Radikë. Pothuajse çdo ditë, nga agu deri në mbrëmjen e vonë, komandant Tahiri, me thjeshtësinë që e karakterizonte do të punonte pa u kursyer që ushtari më i fundit i brigadës së tij, të dinte përse luftonte, të njihte historinë e trojeve ku vepronte, të njihte dhe të përdorte në prefeksion armët që dispononte. Brenda pak muajve me jetën dhe veprën e tij, me vënien e vehtes në rrezik duke qenë në radhët e para të luftimeve me paramilitarët maqedonas, emri i Tahir Sinanit u përcuall me respekt në krejt vise të Vardarit. Për më tej, në fillim të vitit 2001, komandanti i Brigadës 116 thirrej Tahir Tetova. Ky ishte shpërblimi më modest që burrat e Maqedonisë shqiptare i bënin mikut, vëllait, komandantit të tyre, burrit të Tropojës që i donte aq shumë kufijtë tanë etnikë.

Në pranverën e vitit 2001, nënqielli ballkanik në vise të Maqedonisë shqiptare ishte tejet i trazuar. Shqiptarët etnikë këtu nddheshin të shtypur nga zgjedha shovene sllavomaqedonase, më fortë se askurrë. Kjo zgjedhë pos të tjerave, pos plagëve dhe tragjedisë morale, ishte e institucionalizuar nëpërmjet kushtetutës. Sipas kësaj kushtetute ishte vendosur shteti nacional, anipse shoqëria që përbënte shtetin në fjalë ishte multinacionale. Shteti maqedonas, i reflektuar deri atëherë si pronë e grupit nacional të sllavomaqedonasve, jo vetëm që nuk respektonte të drejtat e gjysmës tjetër që janë shqiptarët, por edhe pati ndërmarrë aksione të dhunshme ndaj revoltës së natyrshme të shqiptarëve. Përballë kësaj gjendjeje, Tahir Sinani së bashku me veprimtarë të tjerë të shquar të Armatës Kombëtare, krahas organizimit brenda radhëve të tyre, marrin pjesë edhe në disa aksione luftarake duke u përballur trimërisht me paramilitarët dhe forcat ushtarake të shtetit “demokratik” maqedonas. Miti i lansuar grigorovjan, për kinse Maqedoninë si “oaz i paqes” tanimë kishte përfunduar.

Ka qenë sigurisht diplomacia amerikane ajo që ndërhyri energjikisht tek udhëheqja shovene e IR JM-së lidhur me një lloj amnistie për luftëtarët e UçK-së. ndërkaq, përpara opinionit të shqiptarëve etnikë aty shtrohej pyetja: “A thua edhe shqiptarët duhet t’i japin dikujt amnisti për vrasjen e qindra shqiptarëve të pafajshëm në Maqedoni, fjala është për civilët. Kush është fajtor për plagosjen e qindra shqiptarëve të pafajshëm, për djegien e shtëpive, plaçkitjen e pronës së fituar me shumë djersë e mund nëpër minierat e Perëndimit?” (Gazeta “Flaka”, 21 qershor 2001) bashkëluftëtarët e Tahir Sinanit mbajnë mend mirë se si në këto momente ka jehuar aty në shkrepa të Sharrit zëri i burrit të Tropojës: “Vëllezër ne s’kemi bërë krime që të na gëzojë amnistia e Lubço Gjeorgjevskit. Një shekull kena duru veç krimet e tyre në shpinë. Të mos mbyllim sytë përpara kësaj paqeje të rreme!” fjalët e tij u vërtetuan vetëm dy ditë më pas, atëhere kur forca të Armatës së Republikës së Maqedonisë, filluan sulmet në shpatet përgjatë rrugës Tetovë-Kodra e Diellit. Ndaj këtyre sulmeve, Tahir Sinani reagoi menjëherë vetëm me një pjesë të efektivit të Brigadës së vet, ndërsa pjesën tjetër e mbajti në gatishmëri, 4-5 kilometra më larg. Rreth orës 7 të mëngjesit forcat sllavomaqedonase e lanë rajonin e sulmuar. Ndërsa natën ata bombardonin dhe digjnin fshatra, ditën ekranet televizivë shfaqnin fytyrat e qeta të Gjorgji Eftemovit apo Stojan Andovit, të cilët i servirnin kombit të tyre, zbulimet e fundit të akademis shkencore, siç ishte ndarja e re territoriale apo “Konventa” që kërkonin “reciprocitet” për pakicat maqedonase në Shqipëri dhe “pakicat” shqiptare në Maqedoni
Në fund qershorin e vitit 2001, forcat ushtarake maqedonase, të përforcuara në mënyrë të fshehtë edhe me rrogëtarë sllavë të ardhur nga Uralet e largët, granatuan qindra shtëpi në zonën e Likovë-Kumanovës, me pretekstin se në këto zona ka provokatorë kundër qeverisë. Vendi u ndez nga gjëmimet e artilerisë dhe predhat e avioneve duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë humanitare. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ndonëse pati marrë lejen përkatëse, nuk u lejua nga forcat e ARM për të depërtuar në zonën e Likovës, pasi gjëndja aty sa vinte e keqësohej, edhe me këtë rast, nuk munguan përkushtimi dhe guximi i Tahir Sinanit. I shpejtë, trimëroi, në krye të dhjetëra djemëve të tij; Tahir Tetova do të ngarendte në Likovë dhe është futur në fshehtësi në zonën e luftimeve. Ai ka mundur të japë ndihmën e duhur për dhjetëra familje duke shmangur katastrofën humanitare, ndërsa luftëtarët e tjerë janë rreshtuar në istikame të përballen me sulme të tjera të tankeve dhe artilerisë së Shkupit.

Kështu për të ardhur deri në 29 korrikun e vitit 2001. Komandant Tahir Tetova, së bashku me luftëtarët Naser Ademi, Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Hisa Pashin, bien në fushën e nderit duke njomur tokën e shenjtë të Maqedonisë shqiptare me gjakun e tyre të kulluar. Djemtë e tjerë të UÇK-së nuk vajtojnë. Ata janë në luftë, i presin detyra të tjera, i presin sulme të tjera. Në heshtje ata përcjellin heronjtë për në banesën e fundit dhe breshërit e automatikëve në shenjë respekti, kumtojnë një tjetër sulm të saponisur ndaj armatës sllavomaqedonase.
Tahir Sinani, kjo legjendë e Lirisë, prehet tanimë në vendlindjen e vet, në shtetin amë. Me dekret të shtatorit 2001, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e gradoi atë gjeneral brigade,Tropoja e cila e lindi dhe e riti e shpalli tanimë “Dëshmor i Atdheut” ndërsa kombi ynë e radhiti natyrshëm në panteonin e vet të lavdishëm.

Zvicër-Berm

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

kadare

E pabesueshme! 45 mijë letra kundra Ismail Kadaresë nga shqiptarët që të mos marrë NOBEL!

Kimete-Berisha

Parodi mbi dashurinë time: ngjarje reale, më 08 dhjetor 2023

shkolla-nxenes-780x439-1

Zgjidhet problemi me nxënësit shqiptarë në Çashkë të Velesit, filloristët ndjekin mësimin në shqip

Xheladin-Murati-780x470-1-696x419

Murati me kritika të ashpra për politizimin e arsimit

shfaqja egzodus

Shfaqja teatrale që pos kritikës nuk i mungoi asgjë “Exodus”

KJ2-750x430

Ministrat Bekteshi dhe Shaqiri prezantuan masën e re për vauçerët e turizmit vendor për studentët

x28-800x533-1

Patricia Di Xhovani: Arsimi të bëhet prioritet kombëtar!

shkolla-nxenes-780x439-1

Ja pse dështoi Maqedonia e Veriut në testin PISA

salla universale

Jo më Qyteti i Shkupit, rikonstruimin e Sallës Universale e merr përsipër Ministria e Kulturës

INFO

NA NDIQ