Tahiri flet rreth matematikës eventuale për formimin e qeverisë teknike

0

Mungesa e votave të nevojshme për të rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj dhe kundërshtimet e liderëve brenda koalicionit qeverisës ka krijuar hapësirë për një zgjidhje tjetër, formimin e qeverisë gjithëpërfshirëse.

Madje, në opinion u përmendën disa emra të deputetëve nga radhët e Lidhjes Demokratike dhe të kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, si kandidatë potencial për udhëheqjen e kësaj qeverie.

Ndonëse qeverinë e cila përfshinë edhe disa nga partitë opozitare, e konsideron si zgjidhje për të dal nga situata e krijuar, njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, e sheh joligjore nëse atë nuk e udhëheq kryeministri aktual.

Sipas Tahirit, të gjithë ata që e shohin si të mundur një gjë të tillë, nuk e dinë se çka do të thotë formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse.

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka shpalosur edhe arsyet se pse po kërkohet formimi i një qeverie të tillë.

“Në këtë variant të gjithë po flasin për një qeveri të koalicionit të gjerë sepse nuk dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje të reja parlamentare sepse secila parti frikohet në kontekstin e krijuar nga akuza dhe kundër akuza që të shkojnë në zgjedhje edhe që ta merr mbi veti fajin për rrëzimin e qeverisë. Por jo që e kuptojnë se çka është qeveri e koalicionit të gjerë dhe në cilat raste bëhet, kur bëhet dhe çfarë qëllimi ka, çfarë mandati”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, ndonëse duan të rrëzojnë qeverinë Haradinaj askush nuk ka guximin për të marrë iniciativën.

“Të gjithë po duan të rrëzojnë Ramush Haradinajn por askush nuk po guxon me marr iniciativën. Këtë qeveri me këtë kryeministër, po e shoh të vetmen zgjidhje, me u plotësuar me ministrat e Lidhjes Demokratike dhe të Partisë Social Demokrate”, tha ai për Indeksonline.

Pas formimit të kësaj qeverie dhe miratimin e platformës në Kuvend me 2/3 e votave, Tahiri thotë se do të ishte koha që në shtator ose tetor të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Këta i kanë dy të tretat e votave dhe në këtë bazë munden të kalojnë edhe platformën dhe reformën zgjedhore në afatin e caktuar dhe tani me i caktuar zgjedhjet për diku në shtator ose tetor. Kjo është vetmja zgjidhje ligjore, legale, legjitime”, përfundoi Tahiri.

Ndryshe, “mollë sherri” mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit të koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, është bërë taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Përkundër kërkesës së ShBA-së dhe BE, Haradinaj është duke insistuar që këtë taksë të mos ta heqë pa njohjen e Kosovës nga Serbia, këmbëngulje të cilën Veseli nuk është duke e përkrahur. /Indeksonline/