Tahiri: Vuçiq po e amniston të dyshuarin për vrasjen e Ivanoviqit

0

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se në vend të vënies para drejtësisë së të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është marrë me amnistinë e të dyshuarit. Ministri Tahiri shkroi në Facebook se “kërkesat e autoriteteve të Kosovës ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin e vrasjes së Ivanoviqit kanë ngecur në atë çast kur të gjitha dyshimet e bazuara e nxorën Millan Radojçiqin si të dyshuarin kryesor për atentatin vdekjeprurës, që shtetasit dhe politikanit të Republikës së Kosovës, Oliver Ivanoviq, i kushtoi me jetë”. “Nuk ka asnjë shpjegim racional përveç faktit se në mes të Vuçiqit dhe Radojçiqit ekziston një marrëdhënie e tillë e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit. Qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serb duhet të jenë të sigurt se drejtësia, herët a vonë, do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi dhe të vërtetën e faktuar nuk do të ketë regjim që do të mund ta amnistojë”, shkroi tutje Tahiri në Facebook.