Zv. kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë. Antonio Tajani nesër do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku do të takohet me krerët e shteteve të të dy vendeve si konfirmim i përkushtimit të vazhdueshëm të Italisë për zhvillim, stabilitet dhe ndjekje të integrimit evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është një prioritet i politikës sonë të jashtme, së cilës ne i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme, edhe në nivel shumëpalësh, duke kryesuar grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me të cilët do të takohem sërish në New York pas disa ditësh”, tha Tajani para vizitës në RMV.
Në Shkup, Tajani do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, me kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski.
“Maqedonia e Veriut është një partner kyç në sigurimin e një të ardhmeje të begatë dhe stabilitetit për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne po punojmë për të kapërcyer çdo pengesë në rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ka një potencial të madh për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, duke filluar nga bashkëpunimi në strategji dhe sektorë me vlerë të lartë të shtuar”, tha Tajani.