Takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor sot në Ohër

0

Kryeministri Zoran Zaev është nikoqir i takimit trilateral të punës të liderëve nga Ballkani Perëndimor që sot mbahet në Ohër. Në takim do të marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Agjenda parasheh në Ohër të mbahet mbledhja e punës në të cilën përveç tre liderëve do të marrin pjesë edhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnja e Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliq, ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dje njoftoi se nuk do të merr pjesë në takimin e sotëm në Ohër.

Pas takimit do të vijojë sesion plenar i liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve, midis të cilave, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli Rajonal për bashkëpunim, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe Banka Investuese Evropiane. Pas mbledhjeve të punës është paralajmëruar edhe konferencë shtypi e liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Zoran Zaev, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama mbrëm nënshkruan një deklaratë në Ohër me një listë të përparësive dhe masave për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal.

Kjo deklaratë me një listë të përparësive dhe masave vjen pas takimit të tyre të mëparshëm të përbashkët në Novi Sad.

Në zemër të deklaratës është bashkëpunimi, angazhimi i përbashkët dhe eleminimi i të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si një kontribut për qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit në arritjen e një qëllimi të përbashkët përfundimtar – anëtarësimin e plotë në BE.

“Angazhimi për intensifikimin e bashkëpunimit në bazë të një deklarate të miratuar bashkërisht pritet në pikat e kalimit kufitar, përveç kontrolleve të përbashkëta doganore, do të ketë bashkëpunim të përbashkët për kontrollet fitosanitare, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në të tre vendet vetëm me kartat e identitetit” thuhet në deklaratën e zyrës për shtyp të Zaev.

“Deklarata shpall mundësinë e tregut të hapur dhe qasje në iniciativat e biznesit në të gjithë rajonin, pavarësisht se ku janë vendosur ndërmarrjet, krijimin e vendeve të reja të punës dhe inkurajimin e potencialit të përgjithshëm të rritjes. Kjo iniciativë hap mundësi të mëdha për të rinjtë të lidhen me reputacionin e modelit evropian të zbatimit të standardeve të BE-së me synimin e përparimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe transformimit të përgjithshëm demokratik “, thuhet më tej në deklaratë.

Në lidhje me takimin janë ndërmarrë aktivitete për sigurim fizik dhe të komunikacionit nëpër rrugë, ashtu që në koordinim të policisë me subjektet përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugëve në qytet, me Fondin për veprimtari komunale, komunikacion dhe rrugë pranë komunës së Ohrit, me Ndërmarrjet Publike mënjanohen të gjitha automjetet e parkuara nga pjesa e rrugëve të qytetit që çojnë drejt hotelit ku do të mbahen takimet. Gjatë mbajtjes së mbledhjeve tërësisht do të ndalohet parkimi ose ndalja e automjeteve në vendparkimet e bulevardit “Turistiçka” – KAÇKM” – Kej “Maqedonia”, si dhe në rrugën “Partizanska” deri te udhëkryqi me “Jane Sandanskin”.