TAKIMET E REKËS, QË E RIKTHEJNË HISTORINË !

0

Prof.Dr Vebi Bexheti/

Dje, më 4.07.2019 në Rimnicë të Rekës së Epërme, në praninë e shumë rekasve, studiuesve të etno -kulturës shqiptare të artistëve që në vazhdimësi i kultivojnë këto vlera, dhe shumë të pranishëmve tjerë, për të gjashtën herë me radhë u mbajt manifestimi kulturor ,,Takimet e Rekës”, organizuar nga Shoqata kulturore ,,Reka e Epërme”. Këtij manifestimi i parapriu Konferenca shkencore, që u mbajt një ditë më parë në Mavrovë, me temë ,,Etnokultura në rajonin e Gostivarit”, me theks të posaçëm ,,vlerat etno-kulturore të Rekës së Eperme”, organizuar nga Shoqata ,,Etno-Alb”, ku me kumtesa e tyre u paraqitën studiues nga Shqipëria, Kosova dhe vendi.

Takimet e Rimnicës, njërit nga shumë vendbanimet e Rekës, që tani më janë thuajse tërësisht të zbrazur nga banorët shqiptarë të dy besimeve, atij musliman dhe atij të krishter ortodoks, na kthenjnë në kohën kur në luginat e dy krahëve të Radikës, në gjirin e natyrës pitoreske me plotë pyje e bjeshkë, zhvillohej jeta me gjithë vështirësitë, por edhe momentet e lumtura që këta banorë i krijonin,

Historia e dhembshme, dhe barra e rëndë e shekujve mbi këtë pjesë të kombit, që i shpërndau si zogjtë e shqipes, të ndarë e të pëçarë në baza fetare, sot peshon rëndë në kujtesën e rekasve, të cilët, tani më për çdo vit mblidhen në luginën buzë lumit të pastër si loti, aty nën katund, në oborrin e shkollës, në të cilën ka vite e vite që nuk cingëron zilja. Në këtë vend rekasit, u mblodhën sërish, por pa gjysmën tjetër, ata të besimit të krishterë, disa nga të cilët këtë manifestim e ndjekin përmes ekraneve, televizive, ndoshta tinës nga nusja e djalit, nga mbesa e nipi, apo edhe nga nga ndonjë pjestarë tjetër i familjes, që nuk u ka mbetur asgjë shqiptare.

Ashtu si zakonisht, të pranishmit në këtë takim ishin kurreshtarë tē shohin ndonjë shqiptar të besimit tjetër, të flasin me to në gjuhën shqipe, në të njëjtin dialekt, të çmallem me to duke biseduar për hallet e jetës së pëbashkët të të parëve të tyre që i ndante vetëm një gardh, e shumë më herët edhe pa asnjë ndarje, në kurtin e përbashkët. Në këto takime gjithmonë është i pranishëm ndonjë nga ,,ata”, siç thuhet shpesh në këtë anë, për vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, por të një besimi tjetër. Ata afrohen në lugun e festës dhe ashtu si të ndrojtur, e të mbytur në emocione bëhen pjesë e bisedës për veshjet e bukura të djemve e e vashave rekase që përveç një kryqi, nuk i dallonte asgjë tjetër.

Ashtu si zakonisht, në këtë festë të madhe kombëtare, edhe kësaj radhe , jehoi bumllima e ladrave e surleve, ndërsa vallja e vajzave dhe e djemve rekas të veshur me veshjet më të bukura të botës shqiptare e më gjerë, e preknin lehtazi tokën me të cilēn kishin qenë aq të lidhur dikur. Nuk vonoi as edhe zëri i këngës burimore shumëzërëshe i vajzave dhe grave në momentin kur po afrohej nusja me duvak e me kurorë lulesh të freskëta, hypur në kalin e bardh, aty ku e priste dhëndri, e që e shikonte përmes sitës, pranë nënës, i gatshëm për t’i mbjellë krushqit. Kjo skenë e improvizuar nga të rinjtë e të rejat, e pëgatitur nga ato mē të vjetrit, në shpirtin e të cilëve ende nuk është shuar dashuria për këtë tokë, edhe pse tani e shkretë, i mbushi me emocione të gjithë të pranishmit. Aktorët e skenës së madhe ishin të rinjtë, nxënës e studentë, të ardhur nga qyteti me valixhet e mbushura me veshjet e qëndisura me fije ari, të punuara nga gjyshet e stërgjyshet e tyre e të kombinuara me spektër ngjyrërash, që mund t’i bënte vetëm dora e gruas shqiptare, e lindur dhe e rritur në këtë natyrë mes malesh e bjeshkësh të Rekës.

Pas improvizimit të kësaj dasme shqiptare të Rekës, ashtu siç e ka zakon shqiptari, të gjithë të pranishmit e shijuan edhe drekën tradicionale, nga ushqimet e gatuara në kazanët mbi zjarrin buzë lumit që vinte nga bjeshkët e Korrabit.
E tërë kjo ceremoni e festës së madhe u bë falë Shoqatës kulturote ,,Reka e Epërme”, vetkontributit të rekasve, dhe një ndihme më pak se simbolike madje edhe qesharake të Ministrisë së Kulturës, e cila, Manifestimin ,,Dasma e Galiçnikut”e finanson tërësisht me dekada radhazi, vetëm se me sukses është duke e realizuar falsifikimin e dasmës sonë , si rezultat i asimilimit të popullatës shqiptare ortodokse.

Gepostet von Vebi Bexheti am Montag, 5. August 2019