Takimi Hoti – Macron, ja çfarë u bisedua (VIDEO)

0

Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është thënë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti, në vizitën e tij të parë në Francë si kryeministër, të martën është pritur në Pallatin Elise në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Në një komunikatë për medie nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, është thënë se kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Hoti dhe Macron kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili pas një ndërprerje prej afër 2 vjetësh do të rinisë më​ 12 korrik në Bruksel.

“Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se, në këtë takim u bisedua edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoti gjendet për vizitë në Paris, tre ditë para samitit virtual nën përkujdesjen e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe pesë ditë para rinisjes së dialogut në Bruksel, ku janë të ftuar kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga ambasada e Francës në Prishtinë është thënë që pas samitit të fundit në Berlin, vitin e kaluar, samiti virtual në Paris, ditën e premte, shënon vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së./REL

Pritja nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize!

Gepostet von Avdullah Hoti am Dienstag, 7. Juli 2020