Takimi i liderëve kryesor dhe presidentit për bashkërendim për emrin, nuk merrë pjesë opozita shqiptare

Kryeministri Zoran Zaev menjëherë pas kthimit nga Davosi sot ulet në një tryezë të përbashkët me liderët e partive kryesore në vend si dhe presidentin Gjorge Ivanov, për ti informuar për bisedimet me kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Në takim deri tani është konfirmuar prania e kryetarit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, liderit të BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), Ali Ahmeti, por pritet që të jenë të pranishëm edhe liderë të tjerë të partive më të vogla.

Ministria e Jashtme informoi se bëhet fjalë për një takim informues lidhur me aktivitetet e fundit për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Një zyrtar i kësaj ministrie theksoi për IBNA se në takim do të shpalosen edhe propozimet për emrin, që kanë qenë pjesë e negociatave të fundit në Nju Jork të ndërmjetësuara nga Mathew Nimetz.

Nga kabineti i presidentit theksuan se Ivanov është i gatshëm të marrë pjesë në një takim të tillë.

Ndërkohë, të gjitha partitë parlamentare e shohin si hap pozitiv takimin Zaev – Cipras në Davos, por siç thonë presin kthimin e kryeministrit në vend, për të shpalosur se çfarë është kompromisi.

Takimi do të mbahet në mbrëmje në Klubin e deputetëve, ndërsa do të jenë të pranishëm vetëm treshja më e madhe politike, presidenti Gjorgje Ivanov dhe ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov. Ndërsa nuk merrë pjesë opozita shqiptare. Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA edhe pse kishte shprehur këtë, ai megjithatë nuk është përfillur nga organizatori i këtij takimi. (INA)