Takimi Xi-Biden dhe dilema e Gjermanisë

INA
INA

15/11/2023

SHBA dhe Kina janë në luftë ekonomike. Dilema e Gjermanisë: aleatja më e rëndësishme e saj është SHBA-ja, kurse partneri më i rëndësishëm tregtar është Kina.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti i Kinës Xi Jinping takohen në Kaliforni për të stabilizuar marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve. Takimi do të zhvillohet në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (Apec).

Biden dhe Xi nuk janë takuar më personalisht që nga samiti i G20 në Bali, të Indonezisë, para një viti. Pala amerikane tha se qëllimi i bisedës, e cila pritet të zgjasë disa orë, është formësimi me përgjegjësi i konkurrencës midis dy vendeve si dhe krijimi i kanaleve të sigurta të komunikimit për të shmangur zhytjen në ndonjë konflikt.

Prej kohësh shumë të tensionuara

Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha të botës janë prej kohësh shumë të tensionuara. Një konflikt tregtar, akuza për spiunazh, tensionet rreth Tajvanit dhe qëndrimi i Kinës në luftën e Ukrainës e kanë çuar marrëdhëniet mes tyre në një pikë të ulët. Megjithatë muajt e fundit të dyja palët janë përpjekur të ringjallin komunikimin me njëra-tjetrën. Takimit të presidentëve u kanë paraprirë takime të shumta mes zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të qeverive të të dyja vendeve përpara.

Sipas ekspertëve pritshmëritë ndërkombëtare për takimin Biden Xi Jinping janë mjaft modeste. Politologu nga Berlini, Hanns Maull, ekspert i çështjeve të rendit ndërkombëtar, tha në një intervistë për DW se rifillimi i bisedimeve mes Pekinit dhe Uashingtonit duhet të kishte ndodhur prej kohësh. Gjithësesi sipas tij nuk mund të thuhet, nëse samiti do të ketë sukses për sqarimin e çështjeve serioze të konfliktit që janë shkaktarët e tensioneve midis Kinës dhe SHBA-së. Maull thotë se shumica e vëzhguesve kanë dyshime për këtë.

Akt balancues – strategjia ndaj Kinës

Tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit e vënë Berlinin në një situatë të vështirë: sepse nga njëra anë e konfliktit është SHBA-ja, aleati dhe furnizuesi më i rëndësishëm i Gjermanisë për sigurinë, në anën tjetër është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, Kina.

Për t’u përgatitur për këtë akt balancues, në mes të korrikut qeveria federale miratoi pas diskutimesh të gjata një strategji për Kinën. “Kina ka ndryshuar – kjo dhe vendimet politike të Kinës e bëjnë të nevojshme ndryshimin e mënyrës sesi të sillemi me Kinën”, thuhet pikërisht në fillim të strategjisë, e cila e përshkruan Kinën si një partner, konkurrent dhe rival strategjik në të njëjtën kohë. Një pjesë thelbësore e strategjisë është reduktimi i varësisë gjermane nga Kina nën fjalën kyçe të mosrrezikimit. Kompanitë gjermane duhet të përfshihen gjithnjë e më shumë në vende dhe rajone të tjera në mënyrë që të përhapin dhe të zvogëlojnë rreziqet./DW

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

biden-trump

Biden: Nuk jam i sigurt nëse do të kandidoja përsërsi, nëse Trump nuk do të ishte në garë

Putin

Putin mbërrin në Emiratet e Bashkuara Arabe

Zelenski

Ambasadorja e Ukrainës tregon arsyet pse Zelensky nuk iu drejtua Kongresit amerikan

europa_flamujt

Samiti BE-Kinë përballet me pengesa të mëdha

grat me te fuqishme

Forbes publikon listën e femrave më të fuqishme në botë, kryeson Ursula von der Leyen

An Ukrainian national flag flag waves over the center of Kharkiv, Ukraine's second-largest city, Friday, Feb. 4, 2022. The situation in Kharkiv, just 40 kilometers (25 miles) from some of the tens of thousands of Russian troops massed at the border of Ukraine, feels particularly perilous. (AP Photo/Evgeniy Maloletka)

Rusia gjatë natës ka lëshuar 48 drone mbi Ukrainë, rrëzohen 41

JIM townsend

Townsend: Nuk mendoj se do ketë shpërthim lufte në Ballkan

Benjamin Netanyahu

Netanjahu: Vetëm ushtria izraelite mund të çarmatosë Gazën

mexhiti arabi

Mexhiti: Maqedonia e Veriut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të forcojnë bashkëpunimin në shëndetësi

INFO

NA NDIQ