Taksa ndaj Serbisë anulon vizitën e gjeneralit amerikan në Kosovë

0

Një vizitë e planifikuar e gjeneralit amerikan të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr. në Kosovë, është anuluar për shkak të tarifave të Kosovës ndaj prodhimeve serbe dhe refuzimit të qeverisë për heqjen e tyre. Anulimin e vizitës së gjeneralit Orr, i cili pritej të qëndronte në Kosovë me rastin e përvjetorit të 11-të të pavarësisë, e ka konfirmuar për Zërin e Amerikës ambasada amerikane në Prishtinë. “Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnja”, thuhet në një përgjigje të kësaj ambasade.

Mediat në Kosovë njoftuan se komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, kishte njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre për anulimin e kësaj vizite. Në letër thuhet mes tjerash se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në. Por ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka komentuar për masat e paralajmëruara. “Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar në vazhdimësi Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë.