Gjermania ka deklaruar se nuk do të pengojë Poloninë nëse dëshiron të dërgojë tanke Leopard 2 në Ukrainë, tha ministrja e jashtme e Gjermanisë, duke sinjalizuar një përparim të mundshëm për Ukrainën ndërsa ajo po përgatitet për një ofensivë të re, sipas Reuters.
Njëmbëdhjetë muaj pas fillimit të luftës, luftimet janë përqendruar në qytetin Bakhmut në lindje të Ukrainës, ku mercenarët rusë të Wagner dhe forcat ukrainase janë përfshirë në një betejë rrënimi.
Ministria ruse e mbrojtjes tha për të dytën ditë radhazi të dielën se forcat e saj po forconin pozicionet e tyre në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhia, megjithëse një zëdhënës ushtarak ukrainas i tha transmetuesit shtetëror se situata atje ishte “e vështirë” por e qëndrueshme.
Zyrtarët ukrainas u kanë bërë thirrje aleatëve perëndimorë që t’i furnizojnë me tanke moderne të prodhimit gjerman për muaj të tërë, por Gjermania ka qënë e dyzuar.
Tanket Leopard, të cilat ndodhen në një sërë vendesh të NATO-s, por dërgimi i të cilëve në Ukrainë kërkon miratimin e Berlinit, shihen nga ekspertët e mbrojtjes si më të përshtatshmet për Ukrainën.
Aleatët perëndimorë premtuan miliarda dollarë armë për Ukrainën javën e kaluar, por ata nuk arritën të bindin Gjermaninë të heqë veton e saj për dërgimin e tankeve.
Por në një ndryshim të dukshëm në pozicionin e Gjermanisë, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock tha se qeveria e saj nuk do ta bllokonte Poloninë nëse do të dërgonte tanket e saj Leopard 2 pa miratimin gjerman.
Komentet e Baerbock dukej se shkonin më tej se komentet e Scholz në një samit në Paris më herët të dielën se të gjitha vendimet mbi dërgesat e armëve do të merreshin në koordinim me aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara./abcnews.al