Taravari: Gjykata ta ftoj Zaevin si të pandehur në rastin Monstra

Arben Taravari

Drejtësia ku bën pjesë gjygjësori është një pushtet i pamvarur dhe duhet të funksionojë si i tillë.
Për një rast shumë të ndjeshëm si është ai i quajtur “Monstra” është shpallur verdikti dhe të akuzuarit tashmë janë gjykuar si fajtorë e disa të dënuar përjetësisht. Me këtë përfundim ne presim që gjykata atëherë të thërrasë z.Zaev si të pandehur me akuzën për shpifje duke pasur parasysh që ky i fundit pretendonte në mitingje zgjedhore se kishte fakte që provonin se rasti Monstra ishte i montuar dhe se të pafajshëm po mbahen në burg.
Kështu sipas Drejtësisë i bie që z.Zaev ka shpifur për të përfituar politikisht dhe vërte ndodhi kështu sepse tek shqiptarët ishte ky çelësi që i dhànë votën dhe u emërua kryeministër i vendit.
Ndërkohë krejt çuditshëm dhe shumë dyshueshëm gjithë shteti dhe strukturat e tij u hutuan këto ditë duke harruar edhe pandeminë sepse bash kur çështja Monstra ishte lajm i parë u lajmërua një arratisje e bujshme si ishte ajo e Sasho Mijallkovit. Sikur një magjistar me shkop magjik të kishte dashur të ndihmonte Zaevin për të shmangur përgjegjësinë ndaj gjygjit Monstra, nuk do kishte mundur më mirë…mirëpo kur një shushurimë nisi të akuzonte Zaevin si të përfshirë në arratisje, çuditërisht ky i fundit u ndihmua prapë nga shkopi magjik dhe Mijallkovi shkoi me këmbët e veta në Prokurori dhe tha se nuk ishte arratisirur por kishte qenë me 40 temperaturë.
Prej në kohë të romakëve njihet fenomeni i famshëm Panem et Circenses që latinisht përdoret për të thënë Bukë dhe Cirk. Është një manovër politike për të hutuar popullin, për ta defokusuar nga një ngjarje duke ngritur pluhur për një tjetër…si për shembull mos ndoshta vallë arratisja për shkaqe febrile e Mijallkovit u bë aq e madhe për të lënë në hijen vendimin për çështjen Monstra dhe përgjegjësinë e Zaevit?!
Presim që të flasë Drejtësia e cila është e vonuar me Zaevin që gjithë këto vite ka shfaqur vetëm një mjeshtëri- ai paska qenë i lindur për cirk…vetëm se mjerisht një kryeministër i tillë po i kushton shumë vendit.