Pasi mbaroi më shumë së gjysmën e mandatit në krye të komunës së Gostivarit, Arben Taravari për premtimet e parealizuara kërkon të pyetet pasardhësi i tij. Karrigen e të parit të Gostivarit, Taravari e fitoi ndër të tjera edhe me premtimin për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, ndërtimin e strehimoreve, vaksinimin e qenve e maceve. Por në vend të zgjidhjes, problemi u thellua. Banorët mezi ecin rrugëve nga turmat e qenve. Druajnë për fëmijët e tyre.
“Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, ish kryetari i komunës së Gostivarit, aktualisht ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari, premtoi se do shtojë kapacitetet për strehimin e qenve endacakë. Ai madje premtoi se do ketë subvencione për gjitha familjet që do vendosin të strehojnë një qen apo të vaksinojnë një qen ose mace. Por në vend të shtimit të strehimoreve për qentë endacakë, u shtua numri i qenve nëpër qytet e me këtë edhe shqetësimi i banorëve”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Pasi u tërhoq nga komuna, për të drejtuar dikasterin e Shëndetësisë, Taravari topin për premtimet e parealizuara derisa ishte në krye të Gostivarit e hedh te pasuesi i tij, ushtruesi i detyrës kryetar i komunës.
“Unë s`jam kryetar komune, ja tek është kreu i komunës!”, u përgjigj Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.
Ju e keni premtuar andaj ju drejtohem Juve?
“Në kohën që isha kryetar komune i bëra dy strehimore për qentë endacakë, por fatkeqësisht të dyja u dëmtuan nga njerëz jo të përgjegjshëm. Sot janë në gjendje të mjerueshme, dhe zgjidhje të vetme për strehimoren për qentë endacak është të bëhen ajo rajonale për komplet Pollogun dhe këtë që moti e kemi thënë”, tha Taravari.
Strehimorja vërtetë u ndërtua, por gjendja e saj është e mjerueshme.
Mbetet e paqartë se përse kjo strehimore, edhe pse 80 për qind e gatshme nuk riparohet dhe nuk vihet në funksion, ndërsa zgjidhja kërkohet tek ndërtimi i i ri, i cili do shpenzonte edhe më shumë fonde nga buxheti që mbushet nga qytetarët. Ushtruesi i detyrës kryetar i Gostivarit Valbon Limani thotë se së shpejti strehimorja rajonale do të jetë gati, por pa treguar se kur.
“Nuk do të lecitoj me data apo afate të caktuara kohore por besoj se së shpejti ne do shihemi dhe do ta promovojmë strehimoren rajonale. Në të njëjtën kohë do punojmë që ashtu siç e bëri komuna e Tetovës, edhe ne në ndërkohë për ta evituar problemin, do punojmë në strehimoret që kemi për ti rinovuar”, u shpreh Valbon Limani UD Kryetar i komunës së Gostivarit.
Derisa ish kryetari i komunës dhe kreu aktual i Gostivarit nuk japin afat konkret për zgjidhjen e problemit, banorët mezi ecin rrugëve nga turmat e qenve endacakë.
“Po duhet të hiqen normal që duhet, por s`ka kush ti heq. Qentë duhet të hiqen, jo vetëm për ne pleqtë por fëmijët e vegjël s’mund të lëvizin. Qentë na bëjnë problem. Fëmijët s’mund të shkojnë në shkollë, duhet ti dërgojmë ti pranoj shkolla e pastaj të shkosh ta marrish sërish”, tha një banor.
“Ka shumë qen, fëmijët s’mund të kalojnë rrugën. Shpesh i marr i nxjerri andej për tek shkolla, rrezik për gjithë është por sidomos për fëmijët. Shpesh nëna me fëmijë duhet ti ndihmojmë ti dërgojmë tek shkolla. Ja shiheni ku futet qeni, duhet më të zgjidhet ky problem. Nga komuna si përherë fjalë plot por në realitet s`ka asgjë presim rezultatet”, u shpreh një tjetër banor.
“Kafshojnë na sillen për rreth, natën ke frikë vet të dalësh. Normal u frikësova u çova menjëherë edhe unë më patë vetë”. /Alsat.mk