ASH–Taravari: Punësimet në Librat Amë janë propagandë për të fshehur diskriminimin ndaj shqiptarëve
Pasi koalicioni VLEN njoftoi për 38 punësime në Drejtorinë e Librave Amë, ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, duke i cilësuar këto njoftime si përpjekje për të mbuluar realitetin e hidhur në terren.
“Me pompozitet dhe për të larguar vëmendjen nga dështimet e mëdha politike dhe administrative, koalicioni VLEN njoftoi për disa punësime në Drejtorinë e Librave Amë. Këto lajme serviren si suksese për të fshehur diskriminimin sistematik dhe spastrimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore,” thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia thekson se të dhënat janë alarmante dhe ofroi disa shembuj të zhvillimeve të fundit:
Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari u punësuan 21 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
Në Ndërmarrjen Publike “Pyjet e Maqedonisë” në Strugë, 11 shqiptarë janë larguar nga puna pa ndonjë shpjegim ligjor.
Në Policinë e Tetovës, qytet me shumicë shqiptare, janë pranuar 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
Në Ministrinë e Financave u shpall konkurs për 40 vende pune – 19 u punësuan, të gjithë maqedonas, ndërsa 21 pozita u anuluan.
Sipas ASH-së, kjo është dëshmi e një politike të qëllimshme për të ndërtuar një administratë “etnikisht të pastër”. Partia thotë se nga qershori 2024, kur pushteti kaloi në duart e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të saj politikë, mbi 800 shqiptarë janë larguar ose janë detyruar të largohen nga administrata publike.
“Në vend të një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, qytetarët shqiptarë përballen me një fushatë të organizuar për t’i zhveshur nga çdo rol në jetën publike. Përpjekjet për të shitur disa punësime kozmetike si suksese janë tallje me qytetarët dhe një përpjekje e dështuar për të mbuluar të vërtetën me propagandë”, thuhet në reagim.
Aleanca për Shqiptarët kërkon:
Hetim të pavarur për rastet e punësimeve dhe largimeve nga puna mbi baza etnike.
Ndërprerje të menjëhershme të politikës së spastrimit etnik.
Përfshirje të faktorit ndërkombëtar për monitorimin e barazisë në punësim.
“Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Ata kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për këtë shtet. Heshtja ndaj këtij diskriminimi është bashkëfajësi. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë”, përfundon deklarata e ASH–Taravari.