Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari, sot në Shkup mbajti kongres të jashtëzakonshëm, në të cilin kanë marrë disa vendime.
Disa nga vendimet që i kanë sjellë delegatët e ASh-së në kongresin e sotëm:
“U miratua kandidatura për President të Republikës e Kryetarit të Partisë, Arben Taravari, si propozim i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët i përkrahur nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit 2024”.
“U shfuqizuan vendimet e mbledhjes jolegjitime të Kuvendit të Partisë, mbajtur në më 10 shkurt 2024, pasi që e njëjta u karakterizua me shkeljke të shumta statutare, manipulime dhe falsifikime tanimë të faktuara, për të cilat sot të karakterizuar me manipulime dhe falsifikime Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi ngritjen e një padie penale ndaj abuzuesve”.
“U miratua ndryshimi i statutit të Aleancës për Shqiptarët, duke shfuqizuar ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin e III të jashtëzakonshëm mbajtur më 24 dhjetor 2022, dhe rikthyer versionit paraprak të statutit, miratuar më 27 mars 2022 në Kongresin e II të Partisë, me synim të eliminimit të disfunksionaliteteve në vendim-marrjen partiake. Një nga implikimet imediate të këtyre ndryshimeve është çbërja e pozitës së Kryetarit të Kuvendit dhe të kompetencave të organit të njohur paraprakisht si Kryesia e ngushtë e partisë”.
Kreu i kësaj partie, Arben Taravari përmes një postimi në rrjetet sociale ka përcjell një mesazh pas përfundimit të kongresit të jashtëzakonshëm.
“Sot në Shkup u mbajt Kongresi IV i jashtëzakonshëm i partisë tonë. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme si vetë Kongresi! Aty u miratua kandidatura ime për President, me propozim të Kryesisë së ASH-së dhe me mbështetje nga LEN. U miratua Ndryshimi i Statutit, u mbështetëm në Statutin e vitit 2022, duke shpërbërë formacione shtesë që sillnin konfuzion dhe mbivendosje destruktive, siç ishte e ashtuquajtura “Kryesi e Ngushtë” apo pozita e “Kryetarit të Kuvendit”. Sonte, në kryeqytetin e lashtë shqiptar, në Shkupin historik, kuptova më qartë se kurrë, se Ndryshimi Ka Nis dhe nuk ndal më!
T’fala nga Populli!”, ka shkruar Taravari. (INA)