Të burgosurit dhe të pushkatuarit politik shqiptar në RP të Maqedonisë 1945-1958

Të gjithë jemi dëshmitarë se një numër i konsiderueshëm i akademikëve, profesorëve, shkrimtarëve, gazetarëve, historianëve shqiptarë, po vërsulen pas çmimeve shtetërore, si: 11 Tetori, 23 Tetori, 13 Nëntori, Mito Haxhivasilev Jasmin etj.. Këto data dhe personalitete, jo vetëm që simbolizojnë komunizmin maqedonas, por edhe antishqiptarizmin

Qerim LITA

Me ripushtimin e tokave shqiptare (nëntor – 1944), nga brigadat komuniste jugosllave-maqedonase të ndihmuara edhe nga ato bullgare dhe shqiptare, në Kosovë dhe në viset tjera të banuara me shqiptarë filloi një presion i paparë ndonjëherë ndaj popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u zbatua edhe në viset shqiptare të Maqedonisë së sotme Veriore, përkatësisht në trevat verilindore.

Për të spastruar këto vise nga shqiptarët, filluan masakrat pa marrë parasysh moshën dhe gjininë e tyre. Nëpër qytetet e banuar me shqiptarë, si në Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Kumanovë e Preshevë u hapën kampet e përqendrimit që synonin shfarosjen sistematike të shqiptarëve. Numri i të vrarëve solli këtë bilanc tragjik të shqiptarëve sipas qyteteve me rrethinë: Shkupi – 1400 vetë, Kumanova – 700, Tetova – 4000, Gostivari- 800, Kërçova- 500. Me këtë rast mjafton të përmendim ndërtesën e monopolit të duhanit në Tetovë ku pati mbi 6.000 të burgosur shqiptarë nga qyteti dhe fshatrat. Një ngjarje që tronditi thellë opinionin e gjerë shqiptar, ishte masakra e kryer në fshatin Bllacë të Shkupit, më 18 nëntor nga Brigada e XVI-të, ku, nga të dhënat, tashmë të dokumentuara, rezulton se u masakruan 111 burra të këtij fshati.

Dhuna dhe terrori i udhëheqjes komuniste maqedonase vazhdoi edhe gjatë vitit 1945. Dokumentet e proveniencës policore maqedonase vënë në dukje se në harkun kohor janar –qershor 1945, në RP të Maqedonisë u arrestuan gjithsej 811 shqiptarë. Më pas kundër tyre u zhvilluan procese të shpejta gjyqësore, kryesisht nga gjyqet ushtarake, ku pjesa dërmuese e tyre u dënuan me vdekje pushkatim.

Një proces i tillë u zhvillua më 14 janar në Shkup, në të cilin, Gjykata Ushtarake e Qarkut të Shkupit, dënoi më vdekje pushkatim, 19 veprimtarë të shquar shqiptarë nga Fushëgropa e Kumanovës: Ramadan Qazim Azizin, Asan Zeqir Azizin, Sadik Ramiz Jakupin, Bexhet Musli Dalipin, Jusuf Ismail Nezirin, Abdulla Ebip Abdullahun, apo siç njihej në opinion Mulla Dulla i Hotlës, Osman Selim Hysenin, Shaip Rexhep Memetin, Jusuf Xhemail Ymerin, Ahmet Beqir Abdullahun, Hajri Islam Sadikun, Musa Hasan Eshtrefin, Jusuf Zyber Nuredinin, Jashar Fetah Jasharin, Bajram Idriz Beqirin, Halit Abdulla Shabanin, Rahim Beqir Fazliun, Halit Shukri Hebibin dhe Osman Hysenin.

Më 11 prill 1945, Gjykata Ushtarake në Tetovë solli vendim me të cilën u dënuan 9 shqiptarë, prej tyre 6 me vdekje pushkatim; Femi Aqifin, Ymer Esad Meron, Shaip Nuredinin, Osman Kokën, Mexhit Rexhepin dhe Shaip Shabanin.  Po e njejta gjykatë, me 25 prill të atij viti, në Kërçovë dënoi 7 shqiptarë, tre prej tyre me vdekje pushkatim:  Sezo Hamid Sadikin, Veli Hasan Shabanin, Qemal Eshtrefin.

Në kuadër të këtyre masave, pushteti komunist maqedonas në maj të vitit 1945, pushkatoi tre personalitetet kryesore të dijes dhe nacionalizmit shqiptar të Pollogut, Shuaip Kamberin, Kadri Saliun dhe Jusuf Jahja – Kuluku. Gjatë muajit prill të vitit 1945 në Strugë, nga ana e Gjykëtës Ushtarake u dënua me vdekje pushkatim, atdhetari dhe veprimtari i shquar shqiptar Remzi Shaqir beu, përndryshe pinjoll i familjes së Iljaz Pashë Dibrës – Qoku, i cili u akuzua se ka qenë nismëtar për themelimin e  Ballit Kombëtar në Strugë me rrethinë. Më 7 maj të vitit 1945, Gjykata Ushtarake e Manastirit – Zona ushtrake Strugë, dënoi dy nacionalistët e njohur të Dibrës, Uke Ramadan Camin dhe Ferik Maliq Agollin me nga 26 vjet burg.  E njëjta gjykatë më 29 qershor të atij viti, dënoi këta shqiptarë nga Struga me rrethinë: Mustafa Merkon me 20 vjet burg, Enver Xhemailin, Mitre Gagalen, Shahin Ymerin, Kalosh Selën, Medin Zyberin me nga 5 vjet, Hysen Destan Asllanin, Semi Merkon me nga 15 vjet, Kasëm Sadullahun, Fejzi Odain me nga 2 vjet, Elvan Abdullahun me 4 vjet, Murteza Saten me 8 vjet, Xhemë Mahmutin me 7 vjet, Aris Sejfullahun me 3 vjet, Pajazit Rizain, Ejup Rustemin, Rakip Alilin dhe Hajredin Ismailin me nga 2 vjet burg.

Më 30 tetor 1946, Gjykatën e Qarkut të Shkupit, dënoi Idriz Ibrahim-Cërcërin me 7 vjet burg, ndërsa Rexhep Sejdi Rexhepin me dënimin maksimal, vdekje pushkatim.

Nga data 26 janar – 7 shkurt të vitit 1947 në Shkup u mbajt Procesi Gjyqësor kundër 19 anëtarëve të Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (KQ të NDSH-së), në të cilën u dënuan: Qemal Halim Skenderi me 20 vjet burg, Azem Idriz Marana me vdekje-pushkatim, Mexhit Haki Zyberi, me 10 vjet, Hasan Hamdi Billali me 20 vjet, Mahmud Hysen Dumani me 4 vjet, Hysni Muharrem Rudi me vdekje-pushkatim, Mehmed Nezir Bushi me vdekje-pushkatim, Hajdar Kurtish Jashari – Mulla Hajdari me 12 vjet,  Osman Ahmet Cami me 15 vjet, Jonuz Ymer Balla me 8 vjet, Nazmi Emin Azemi me 4 vjet, Dr. Qeram Muhamet Zllatku me 20 vjet, Spiro Harilla Theodosi me 3 vjet, Xhavit Abdulla Selimi me 6 vjet, Galip Mustafa Raufi me 6 vjet, Xhamal Fezli Kasami me 15 vjet, Medat Mustafë Tërshana me 18 vjet, Gani bej Mehmed Abdullau me 2 vjet dhe Sherif Mehmed Aliti me 2 vjet burg.

Dy muaj pasi përfundoi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së në Shkup, në qytetin e Tetovës filloi procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSH-së, në të cilin u dënuan: Suad Sulejman Mehmedi me 12 vjet burg, Nexhmedin Besim Sezairi me 20 vjet, Jetish Sali Vishi me 7 vjet, Hetem Tahir Aliu me 17 vjet, Abdylfari Beqir Ademi me 5 vjet, Xhevahir Vejsel Shaqiri me 3 vjet dhe Ymer Qemal Sadiku me 4 vjet.

Në pranverë të vitit 1947 organet e UDB-ës, burgosën grupin e teologëve që konsideroheshin si pasardhës të politikës së Ataullah Hoxhës. Procesi gjyqësor kundër tyre u mbajt më datë 5 e 6 shtator të vitit 1947, në Gjyqin e Qarkut të Shkupit, i cili dënoi: Feta Raufin me 7 vjet burg, Riza Xheladinin me 1 vjet, Mendu Qazimin me 3 vjet, Memed Sadikun me 4 vjet, Xhemail Xhemailin me 6 vjet dhe Ferat Ibrahimin me 6 vjet.

Në shtator të vitit 1948, Gjyqi i Qarkut të Shkupit dënoi veprimtarët e  NDSH-së së zonës së Zhelinës: Mulla Garip Ramiz Beadinin, Hafiz Abdullah Hamid Abdullahun, Islam Zejnullahun, Ibrahim Musliun, Demir Sulçen, Zyber Kadri Baftjarin, Demir Hashim Demirin, Jusuf Mehmet Bajramin, Ismail Jusuf Selimin, Adem Jusuf Selimin, Selim Jusuf Selimin, Elez Abaz Rexhepin, Demirali Havzi Eminin dhe Tahir Qahil Tahirin.

Përveç tyre, organet gjyqësore komunist jugosllavo-maqedonase dënuan edhe figurave tjera të shquara shqiptare siç ishin: ish deputeti shqiptar në Perandorinë Osmane, Sait Hoxha, intelektualin dhe atdhetarin e njohur nga Kumanova, Shaban Efendiun, kryetarin e NDSH-së së Gostivarit, Nexhati Purde, myftiun i Preshevës Lutfi Ahmetin, nacionalistin dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Xhemë Gostivarit, Xhafer Ali Litën, tregtarin dhe veprimtarin e njohur preshevar, Abdulla Veliun, Nijazi Kurbaliun, Ahmet Ibrahim Hajrullahun nga Presheva, Shaip Latifin, Jusuf Shabanin, Mustafa Nazmiun etj.

Më 31 maj 1952, Gjykata e Qarkut të Gostivarit dënoi këta veprimtarë të organizatës “LIRIA”: Sadudin Abdulla Gjurën, me 14 vjet burg, Rami Ruzhdi Sabriun,  me 10 vjet burg, Vebi Ahmet Vebiun me 7 vjet burg, Murat Raif Isakun, me 9 vjet burg, Izmit Shain Bajramin, me 11 vjet dhe Abdyselam  Skënder Bejtullaun me 8 vjet e gjashtë muaj burg.

Në kuadër të masave të dhunshme që organet e UDB-së jugosllave-maqedonase, i ndërmorrën gjatë vitit 1952, duhet veçuar edhe burgosjen e Xhaferr Kodrës, i cili në momentin e arrestimit mbante postin e ministrit të Drejtësisë së RP të Maqedonisë. Më pas Gjykata e Qarkut të Shkupt e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim të rëndë prej 7 viteve heqje lirie, dhe të njëjtin e vuajti në burgun e Goli Otok-ut.

Është me rëndësi të theksohet fakti se në RP të Maqedonisë, deri në vitin 1955, krahas organizatës LIRIA, u zbuluan edhe tre organizata tjera: “Shpresa” me në krye veprimtarin dhe disidentin e njohur Mehmet Murtezanin – Gega, “Shkëndija”, në krye me Murtezan Bajraktarin dhe organizata e NDSh-së në krye me vëllezërit Purde-Taravari. Si rrjedhoj e tërë kësaj u arrestuan mbi 150 veprimtarë (intelektual të kohës si mësuesë, studentë, shkollar të mesëm etj), ndaj të cilëve më pas u shqiptuan dënime të rënda nga 3 deri më 14 vite heqje lirie, nën pretekstin se kanë zhvilluar “veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit”.

Ndër proceset e shumta gjyqësore të zhvilluara në atë periudhë kohore, duhet veçuar procesin gjyqësor kundër organizatës “Shpresa”, i cili proces u mbajt më datë 22 tetor 1955 në Gjyqin e Qarkut të Gostivarit, në të cilin u sollën këta vendime: Mehmet Riza Murtezani – Gega u dënua me 10 vjet burg, Abdulla Kalishta me 3 vjet, Hysen Xhaferri –Spahiu, me 2 vjet e 6 muaj, dhe Muharrem Jusufi me 2 vjet burg..

Gjatë viteve 1955-1956 në Gjyqin e Qarkut të Shkupit janë mbajtur disa procese gjyqësore ku të akuzuar kanë qenë anëtarë të organizatës së NDSh-së, përkatësisht “Taravari-Purde”. Procesi qendror kundër kësaj organizate u mbajt nga data 11 -25 korrik 1956 nga po e njëjta gjykatë, ku të akuzuar ishin 8 veprimtarë të organizatës, që të gjithë intelektual, përkatësisht mësuesë dhe studentë. Këshilli gjyqësor i udhëhequr nga Boro Doganxhijevski, më date 25 korrik 1956 i shpalli të gjithë fajtorë dhe u shqyptoi dënime të rënda edhe atë: Burhan Shaip Pasholli u dënua me 8 vjet burg, Abdyrahim Taravari me 10 vjet e 6 muaj, Rifat Palloshi me 5 vjet, Sherafedin Agai me 5 vjet, Abaz Dukagjini me 4 vjet, Raif Ali Raifi – Maleziu me 7 vjet, Adnan Agai me 4 vjet, dhe Remzi Pustina me 5 vjet burg. Në kuadër të kësaj organizate qenë arrestuar dhe dënuar edhe shumë personalitete tjera si: Shaban Xheladini, Murtezan Bajraktari, Nevaip Purde, Naxhi Purde, Mehdi Bajraktari, Eshref Hoxha, Isak Çavoli, Zijadin Çyra, Gajur Deralla, Sejdi Rauf Bajrami e shumë të tjerë.

Për sa u tha më sipër, shihet qartë se çfarë reprezalje përjetoi inteligjenca e atëhershme shqiptare nga UDB-a jugosllave, e cila udhëhiqej e kontrollohej nga dueti i mirënjohur shovinist serb Rankoviq – Stefanoviq, përkatësisht ai maqedonas –Kolishevski-Cërvenkovski. Pozitën e shqiptarëve në RP të Maqedonisë më së miri e përshkruante korrespondenti i gazetës “Financial Time”, nga Londra, Lendvaj Paml Andor, i cili gjatë vizitës që ia bëri Maqedonisë më 29 maj-1 qershor 1962, do të deklaroj: “Në Jugosllavi njerëzit mund t’i ndajmë në disa kategori edhe atë: si më të diskriminuar janë romët dhe shqiptarët, pastaj vijnë punëtorët në përgjithësi dhe pas këtyre vinë të gjithë qytetarët tjerë”.

Krejt në fund do të doja të flas për një dukuri që është duke ndodhur  te një pjesë e inteligjencës shqiptare. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se kohëve të fundit një numër i konsiderueshëm i akademikëve, profesorëve, shkrimtarëve, gazetarëve, historianëve shqiptarë (vlera shkencore e të cilëve nuk kontestohet), po vërsulen pas çmimeve shtetërore, si: 11 Tetori, 23 Tetori, 13 Nëntori, Mito Haxhivasilev Jasmin etj.. Këto data dhe personalitete, jo vetëm që simbolizojnë komunizmin maqedonas, por edhe antishqiptarizmin. 13 nëntori i vitit 1944 për shqiptarët e Shkupit e më gjerë nuk mund të quhet çlirim, por ripushtim, për arsye se vetëm 5 ditë më vonë, përkatësisht më 18 nëntor repartet komuniste jugosllave-maqedonase kryen masakrën e Bllacës. Ndërsa Mito Haxhi Vasilev – Jasmin, gjatë viteve pesëdhjeta në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Pakicat Nacionale pranë KQ të LKM-së, i priu procesit të shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike për në Republikën e Turqisë. Është obligim i imi kombëtar që këtu para jush, t’u bëj një apel të gjithë atyre intelektualëve shqiptarë, që të refuzojnë çfarëdolloj çmimi shtetëror, i cili përveçse simbolizon ideologjinë komuniste, njëkohësisht simbolizon edhe antishqiptarizmin, siç është 11 tetori, 13 nëntori, Mito Haxhi Vasilev Jasmin etj.

(Fjalim i mbajtur në Tetovë me rastin e ndarjes së mirënjohjeve të figurave te persekutuar nga ish regjimi komunist jugosllave-maqedonas, të cilën e organizoi Shoqata e të Burgosurve Politik Shqiptar në Maqedoni)