Të burgosurit po dënohen dy herë!

Avokati i Popullit, Naser Ziberi në një intervistë për MIA-n shprehet se problemi më i madh është risocializimi dhe sistemi arsimor për të miturit të vendosur në SHEP Tetovë. Sipas tij, zgjidhja e pjesshme e këtij problemi ose siç thotë populli, arsimim sa për sy e faqe, aq sa të thuhet se “fëmijët po ndjekin mësimin”, sipas tij, nuk është zgjidhje. “Është shkatërruese e dhëna se pothuajse një numër të madh të tyre pas disa vitesh ne si institucion i takojmë nëpër burgje. “Ky është një dështim i madh për ne si shtet për arsye se shtëpia nuk e kryen funksionin për të cilin është themeluar, të ndikojë në mënyrë edukative, por edhe përmirësuese te fëmijët”, tha Ziberi. Ai në intervistë përkujtoi se disa javë më parë në prezantimin e Raportit Vjetor të mekanizmit kombëtar parandalues drejtoi kritika në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për gjendjen me mbrojtjen shëndetësore në burgjet, dhe brenda vetëm disa orëve pati reagim nga ministri, i cili sqaroi se ku qëndron problemi dhe se planifikon nga shtatori të merret seriozisht me zgjidhjen e tij. “Ky hap është për t’u përshëndetur dhe shembull i mirë që duhet të ndiqet nga bartësit tjerë të posteve publike. Ne, si institucion, sigurisht që do të vazhdojmë të ndjekim nëse vërtet do të ketë përmirësime në këtë fushë”, theksoi avokati i popullit në intervistë për MIA.

Sistemin e burgjeve, është shprehur Avokati i Popullit, ne si institucion, e monitorojmë nga dy aspekte, në mënyrë parandaluese përmes Mekanizmit kombëtar të parandalimit dhe përmes mbrojtjes, duke vepruar ndaj parashtresave individuale, por edhe përmes hapjes së lëndëve me iniciativë personale, kur konsiderojmë se ka nevojë për këtë.

“Gjatë viteve, është shkruar shumë për problemet në çdo aspekt. Situata këtu është përmirësuar pak në raport me kapacitetet e akomodimit (nuk ka më stërngarkim në burgje pas amnistisë së dhënë disa vjet më parë), por mbeten problemet me segmentet e mbrojtjes shëndetësore, risocializimit dhe procesit arsimor, në të cilat ende duhet të punohet. Kur flasim për burgjet, flasim për persona, liria e lëvizjes e të cilëve është e kufizuar dhe ata nuk janë në gjendje, si ne të tjerët, kur kanë nevojë për ndihmë mjekësore, ta sigurojnë atë menjëherë. Është e papranueshme që shteti të dënojë dikë dy herë për veprën e kryer, një herë duke e vendosur në burg, e herën e dytë duke ua shkurtuar të drejtën që ligji ua garanton në mënyrë të pakontestueshme – qasjen deri te mbrojtja shëndetësore”. Problem i madh, ka vijuar më tej Ziberi, është risocializimi ose aftësimi i të burgosurve, pas vuajtjes së dënimet me burg të gjejnë punë dhe të përfshihen në rrjedhat normale të shoqërisë.

“Konsideroj se mungesa e tij është një nga arsyet kryesore pse shumica e tyre janë të kthyer në burgje. Por, megjithatë, për mua problemi më i madh është risocializimi dhe sistemi arsimor për të miturit të vendosur në SHEP Tetovë. Zgjidhja e pjesshme e këtij problemi ose siç thotë populli, arsimim sa për sy e faqe, aq sa të thuhet se “fëmijët po ndjekin mësimin” nuk është zgjidhje. Është shkatërruese e dhëna se pothuajse një numër të madh të tyre pas disa vitesh ne si institucion i takojmë nëpër burgje. Ky është një dështim i madh për ne si shtet për arsye se shtëpia nuk e kryen funksionin për të cilin është themeluar, të ndikojë në mënyrë edukative, por edhe përmirësuese te fëmijët. Sa i përket bashkëpunimit me drejtoritë e burgjeve, ende ka dukuri që udhëheqës të caktuar të mos i dinë rolin, rëndësinë dhe kompetencën e institucionit Avokat i popullit në segmentin që do të thotë parandalim dhe mbrojtje të të drejtave të personave, të cilëve u është kufizuar liria e lëvizjes. Kjo vetëm e konfirmon konstatimin tonë se duhet të punojmë vazhdimisht në edukim, si të punësuarve në institucionet e burgut ashtu edhe të personave që i udhëheqin ato”.