Të gjitha institucionet kulturore në Tetovë janë nën kompetencë të Ministrisë së Kulturës

Edhe pse është përfolur në të kaluarën se pritet që disa institucione të kulturës do të kalojnë në menaxhim të komunave. Por, edhe sot e kësaj dite, që kur janë ndarë disa kompetenca për komunat, deri më tani nuk është shtuar asnjë kompetencë edhe në këtë sferë. Pushteti qendror disa vite më parë ka thënë se ka në plan të fillojë edhe zgjerimin e kompetencave për komunat, por edhe këta paralajmërime kanë mbetur vetëm në letër. Në këtë drejtim, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, thotë se procesi i decentralizimit është i mangët dhe se pushtetit lokal i mungojnë shumë kompetenca. Në këtë drejtim, ai përmend edhe sferën e kulturës. Megjithatë, Kasami thotë se me ardhjen e tij në krye të komunës, do të mundohet që t’i jep mbështetje më të madhe kulturës, që të mos vërehet mungesa e mbështetjes nga pushteti lokal. Kreu i komunës së Tetovës thotë se edhe ato para që ndan ministria e kulturës, të njëjtat nuk përfundojnë atje ku duhet.

“Sidoqoftë edhe në të kaluarën pushteti lokal në Tetovë nuk ka treguar ndonjë interesim të veçantë për sa i përket përkrahjes kulturës ose sportit dhe gjithë aktiviteteve tjera shoqërore. Ne mundohemi ta kompensojmë këtë mungesë të investimeve të përkrahjes edhe nga pushteti qendror. Bëjmë apel nga këtu, që Ministria e Kulturës por edhe qeveria të jenë më të përkushtuar, jo që nuk kanë mjete, e dimë se Ministria e Kulturës është njëra prej ministrive me buxhet më të madh, por fatkeqësisht paratë nuk shkojnë atje ku duhet, që të ketë më shumë krijimtari letrare,krijimtari artistike, pra më shumë kulturë”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ai mes tjerash thotë se duhet që Ministria e Kulturës të përkrah artistët e vërtetë dhe të ketë depolizitim gjatë ndarjes së buxhetit. “Ne do të kishim dashur që të ketë sa më shumë depolizitim të mirëfilltë të ndarjes së mjeteve financiare nga ana e Ministrisë së Kulturës, që ata mjete të shkojnë tek artistë të vërtetë dhe të kemi më shumë mundësi, që të kemi krijimtari të mirëfilltë kulturore, sportive dhe të gjitha sferave”, tha Kasami. Në Tetovë, të gjitha institucionet kulturore janë nën kompetencë të Ministrisë së Kulturës. Edhe pse në Shkup, tashmë kalaja e Shkupit, ka kaluar në kompetencë të qytetit të Shkupit, megjithatë në Tetovë ende shumë institucione të sferës së kulturës menaxhohen nga pushteti qendror. Kësisoj, komuna e Tetovës edhe pse është një nga komunat më të mëdha në vend për nga numri i banorëve dhe territorit që mbulon megjithatë në sferën e kulturës nuk ka asnjë institucion nën ingerencë të saj. Ndryshe, në Tetovë funksionojnë shumë institucione të kulturës, siç janë biblioteka, qendra për kulturë, galeria e arteve, disa muze, të cilët ende menaxhohen nga pushteti qendror. /koha.mk/